As Edi Rama dhe as Albin Kurti nuk kanë lëvizur asnjë milimetër nga qëndrimet e tyre në lidhje me Ballkanin e Hapur. Por, në mbledhjen e tetë të përbashkët të dy qeverive u shfaqën të bashkuara në qëndrimin e dakordësisë për të mos rënë dakord për këtë çështje.
“Ne sot nënshkruam 19 marrëveshje, protokolle e memorandume bashkëpunimi. Marrëdhëniet tona janë të shkëlqyeshme dhe vëllazërore dhe mbledhja ishte mes Kosovës dhe Shqipërisë që të forcojmë dy shtetet tona për interesin e shqiptarëve. Për Ballkanin e Hapur, ajo është e një dimensioni tjetër, jo bileaterale dhe për atë nuk kam asgjë të re që t’ju them”, tha Albin Kurti.
“Nuk na bashkon, por Ballkani i Hapur nuk na ndan. Kemi këndvështrime të ndryshme, por këto këndvështrime nuk na pengojnë që në marrëdhëniet bilaterale të ecim përpara”, deklaroi Edi Rama Rama.
Megjithatë, Kryeministri Rama tha se po zbatonte ‘Ballkanin e Hapur’ me Kosovën.
“Porosia ime për Qeverinë që drejtoj është që çdo gjë që jetësojmë me Ballkanin e Hapur duhet ta jetësojmë edhe me Kosovën. Operatorët e autorizuar, duam ta jetësojmë me Kosovën, heqjen e të gjitha tarifave doganore duam të bëjmë me Kosovën dhe në të dyja këto drejtime do ta bëjmë këtë. Për tarifat, Kosova ka kërkuar pak kohë, ne do të hapim kufirin për bizneset e Kosovës”, shtoi ai.
Kritikave për nivel të ulët të bashkëpunimit, qoftë politik, qoftë ekonomik Rama iu përgjigj duke sjellë si ilustrim episodin që ndodhi gjatë ceremonisë së këndimit të dy himneve, kur në sfond dëgjohej një qen duke lehuar.
“Kur këndoheshin himnet, qeni lehu. Mbaruan himnet, pushoi edhe qeni. Këto janë lehje për tërheqje vëmendje. Ne, të fokusohemi te puna, qentë le të lehin, karvani do të vazhdojë të shkojë përpara”, tha Rama.
Rama tha se me qeverinë e Albin Kurtit ka shkallën më të lartë të marrëveshjeve të zbatuara në krahasim me qeveritë e mëparshme në Kosovë dhe së bashku me Kurtin vlerësoi si me rëndësi strategjike kombëtare lidhjen e Portit të Durrësit me hekurudhë me Kosovën dhe ndërtimin e portit të thatë në Prishtinë.
“Sot kemi ekspozuar në mënyrë konkrete një projekt që është më ambiciozi dhe strategjiku i një qeverie të Shqipërisë dhe i një qeverie të Kosovës, porti i ri i Durrësit, porti i thatë i Prishtinës, një projekt që jo vetëm transformon në mënyrë rrënjësore të gjithë infrastrukturën e zhvillimit tregtar mes dy vendeve, nxit si asnjë gjë tjetër më parë ekonominë e dy vendeve, por e vendos Shqipërinë dhe Kosovën në qendër të një graviteti rajonal dhe e kthen Durrësin në një nga portat strategjike ekonomike të Mesdheut”, u shpreh Rama.
“Ne jemi të interesuar për ta bërë këtë, por edhe bashkimin doganor. 19 marrëveshje është shumë herë më shumë se sa marrëeshjet që janë bërë ndonjëherë mes vendeve të rajonit. Lajm sot është përforcimi dhe avancimi i të përbashkëtave tona, hekurudha dhe porti dhe jo dallimet që dihen”, deklaroi Kurti.
Dy qeveritë kanë rënë dakord për të bashkëfinanciar enciklopedinë shqiptare, që do të hartohet nga akademitë e dy vendeve në 10 volume, botimin në fund të çdo viti të një reviste ndërqeveritare, si fletore zyrtare e marrëveshjeve të nënshkruara dhe avancimit të tyre, si dhe bashkëfinancimin e studimit të fizibilitetit të hekurudhës Durrës-Prishtinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje