Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Financave mbrojtën bashkërisht para Komisionit të Ekonomisë aktin normativ të Qeverisë, i cili kompenson me 5 deri në 30 për qind çmimet e rritura të materialeve të ndërtimit për kompanitë që kanë fituar tendera publikë nga 1 janari i 2020-s.
Mbrojtja e këtij akti, që ka hyrë në fuqi prej 18 majit ishte e vështirë, si përballë deputetëve të opozitës, ashtu edhe të mazhorancës. Nga opozita, shqetësime abuzimi ngriti Edmond Spaho. Ai tha se marzhi i gjerë i kompensimit prej 5 deri në 30 për qind lë hapësira abuzimi.
Në vend të kësaj, Spaho propozoi që kompensimi të bëhej në bazë të niveleve të rritjes së çmimeve sipas produkteve bazuar në të dhënat e INSTAT. Nga ministria e Infrastrukturës, zv.ministri Ilir Bejtja tha se nuk bëhet fjalë për kompensim të të gjithë materialeve, por për ato që janë prekur më shumë nga kriza e çmimeve, si hekuri, bakri, tubat e të tjera.
Nga mazhoranca, Erion Braçe gjeti një tjetër hapësirë abuzimi me këtë akt normativ. Ai u përqëndrua te shtrirja e gjatë në kohë, duke kompensuar edhe kompani që nuk kanë zbatuar kontratat e tenderave që kanë fituar për pamundësi financiare, apo mungesë të krahut të punës.
“Këto kompani, në vend që të penalizohen për mosrespektimin e kontratës, ju do t’i kompensioni me këtë akt”, tha Braçe.
Deputeti socialist ngriti shqetësimin se akti mund të favorizojë edhe kompanitë e angazhuara në procesin e rindërtimit që kanë shkelur e tejkaluar afatet për ta përmbyllur këtë proces.
“Ka shkolla, rrugë e infrastrukturë që duhej të ishin përmbyllur, por që nuk janë mbyllur ende”, deklaroi Braçe.
Shqetësimit të Braçes iu përgjigjën përfaqësuesit e Ministrisë së Financave.
“Që të qartësojmë, kompensimi nuk bëhet kur rritja e çmimit është poshtë 5 për qind dhe as kur është mbi 30 për qind dhe fillon për materialet e blera pas hyrjes në fuqi të aktit normativ, jo prej 1 janarit 2020”, tha drejtorja në Drejtorinë e Përgjithshme të Buxhetit në Ministrinë e Financave, Moza Dhëmbi.
Deputetët kërkuan nga dy ministritë një listë me kontratat që përfitojnë kompensim, ndërsa në fund u ra dakord që të dërgohet një tipologji e këtyre kontratave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje