Deputeti Gazment Bardhi në emër të Grupit Parlamentar të PD depozitoi në SPAK një kallëzim penal kundër Kryeministrit Edi Rama për shpërdorim detyre.
Kallëzimi lidhet me dhënien e statusit investitor strategjik dhe pasurive publike në përdorim për bashkëshortin e Ministres për Europën dhe Punët e Jashtme Olta Xhacka.
Sipas padisë, bashkëshorti i ministres Xhacka ka përfituar statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një hoteli disa katësh me 5 yje në një sipërfaqe zhvillimi prej 10,592 m² dhe me vlerë rreth 5,5 milion euro, në Gjilekë, Bashkia Himar.
“Shoqëria në pronësi të bashkëshortit të ministres dhe deputetes znj. Olta Xhacka ka përfituar masën mbështetëse të lejimit të përdorimit të bregut para hotelit për një periudhë 30-vjeçare, si dhe përfiton nga incentiva e reduktimit të TVSH-së”, thuhet në kallëzim.
Kjo për demokratët është bërë në shkelje flagrante të ndalimeve ligjore të parashikuara në ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit.
“Kryeministri Edi Rama, në cilësinë e tij si epror i Ministres Olta Xhacka, por edhe si Kryetar i Komitetit të Investimeve Strategjike, ka përgjegjësinë ligjore për të zbatuar ndalimet e parashikuara nga ligji nr. 9367, datë 7.4.2005 “për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, ku qartësisht specifikohet se deputeti/ministri nuk mund të përfitojë përdorimin e pronave publike dhe se ky rregull vepron njëlloj edhe për bashkëshortin/en e tij”- thuhet në kallëzimin e firmosur nga deputeti Gazment Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje