Nga Gazeta Si – “Shteti nuk heq dorë nga asnjë përgjegjësi ndaj Parkut Kombëtar të Butrintit”.
Kështu është shprehur ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në lidhje me deklaratat e presidentit Ilir Meta.
“E konsideroj këtë deklaratë të pasaktë, të pavërtetë. Shteti nuk heq dorë nga asnjë përgjegjësi kur flitet për trashëgimitë kulturore publike. Edhe nëse në arën e një bujku që është pronë private e bujkut dhe gjatë gërmimeve dalin vepra arkeologjike, ato janë me ligj pronë publike. Në të njëjtin ligj parashikohen dy forma të administrimit: direkte dhe indirekte. Direkte janë forma si parku i Apolonisë, Teatri i Operas dhe Baletit apo të tjera, me varësi nga Ministria e Kulturës. Është edhe një formë tjetër që janë fondacionet që janë e drejtë e çdo institucioni kulturor të pushtetit lokal apo qendror, të krijojnë fondacione kulturore që të tërheqin dhe fonde të tjera”, shprehet ministrja Kumbaro.
Sa i përket deklaratës së Metës, se mënyra e re e administrimit bie ndesh me Konventën e Parisit, Kumbaro thotë se i kujtoj presidentit nenin 17 të kësaj konvente i cili thotë: ‘Neni 17 parashikon se shtetet palë të kësaj Konvente do të konsiderojnë dhe inkurajojnë themelimin e fondacioneve ose shoqatave vendase publike dhe private qëllimi i të cilave është të ftojnë donacione për mbrojtjen e pasurisë kulturore dhe natyrore të përcaktuar në nenet 1 dhe 2 të Konventës’. Fondacioni është rasti kur dhurohen para për një destinacion të caktuar kulturor, me qëllime jofitimprurëse”, tha Kumbaro gjatë diskutimit në emisionin “Open”.
Presidenti Ilir Meta në një deklaratë për mediat u shpreh se nuk ishte kundër formës së zgjedhur për menaxhimin përmes bashkëpunimit me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, por se ishte kundër heqjes dorë të shtetit nga kontrolli i fondacionit të krijuar për Butrintin.
Meta tha se marrëveshja binte ndesh me Kushtetutën, Konventën e Parisit, i mungonte transparenca në hartim dhe nuk ishte konsultuar me UNESCO-n. Ndër të tjera tha se është e papranueshme heqja e kompetencave të Kontrollit të Lartë të Shtetit për të audituar fondacionin menaxhues të Butrintit.
Mirela Kumbaro sqaroi më tej se Ministrisë së Kulturës nuk i është hequr asnjë atribut ndaj Parkut Kombëtar të Butrintit.
“Butrinti nuk i është dhënë askujt, Ministria e Kulturës mbetet administratore e patjetërsueshme e parkut të Butrintit. Kjo nuk i heq Ministrisë së Kulturës asnjë atribut për menaxhimin e parkut”, ka thënë më tej Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje