Politike

Qeveria propozon përjashtimin e pensionistëve të vetëpunësuar nga pagesa e sigurimeve shoqërore

Ministria e Financave ka përmbyllur draftin ligjor që përjashton nga detyrimi për të paguar sigurime shoqërore pensionistët e vetëpunësuar në sektorin privat.

Projektligji është hedhur për konsultim publik. Sipas ndërhyrjeve që propozon Ministria e Financave në ligjin për sigurimet shoqërore, Qeveria mund të vendosë që përfituesit e pensionit të pleqërisë të vetëpunësuar në sektorin privat të tërheqin këstet mujore të pensionit dhe të përjashtohen nga pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore, gjatë kohës së vetëpunësimit.

Aktualisht, kjo kategori paguan si gjithë të tjerët sigurimet shoqërore, pavarësisht se këto sigurime nuk u njihen si kontribut dhe nuk kanë ndikim në pensionin që marrin. Pensionistët e punësuar nuk marrin asnjë përfitim për kontibutet e detyrueshme që ata paguajnë përtej viteve të detyrueshme të kontributit. Aktualisht ata nuk përfitojnë rillogaritje pensioni për kontributet shtesë pas daljes në pension.

Përjashtimi i pensionistëve nga detyrimi për të paguar sigurime shoqërore ishte një prej pyetjeve që Edi Rama adresoi në mars përmes Këshillimit Kombëtar. 66 për qind e të anketuarve, sipas rezultatit që publikoi Kryeministri më vonë u shprehën pro përjashtimit të pensionistëve të vetëpunësuar nga ky detyrim.

Kur u ngrit si pyetje u hodhën disa shqetësime mbi efektet e mundshme të këtij propozimi. Në të gjithë vendin janë të paktën 10 mijë pensionistë të vetëpunësuar. Kjo do të thotë se me propozimin e Ministrisë së Financave, kjo kategori do të dalë nga skema e kontributeve shoqërore duke rritur edhe më tej presionin ndaj kësaj skeme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë