Politike

Biznesi amerikan kërkoi Paketë Antikorrupsion. Por si erdhën duke u “koklavitur” tenderat dhe ligjet e posaçme

Nisma e Dhomës Amerikane të Tregtisë për një paketë antikorrupsion është ende në fazë hartimi dhe nuk ka një propozim konkret publik. Por, nëse do të finalizohet, do të jetë hera e parë që një nismë e tillë e komunitetit të biznesit, apo shoqërisë civile dorëzohet në Kuvend për miratim.

Thembra e Akilit të korrupsionit janë konsideruar tenderat dhe ligjet e posaçme. Në të shkuarën e largët e të afërt paketat antikorrupsion që janë promovuar e votuar nga politika në shumicën e rasteve rezultatet i kanë pasur të kundërta. Të përbashkëtat e nismave antikorrupsion të politikës para 2013, në 2014 dhe paketa e pjesshme për mjedisin në 2019-n janë pështjellimi e komplikimi i mëtejshëm i procedurave, dokumentacioneve e kritereve të tenderave, lejeve e kritereve zhvillimore.

LEXO EDHE:
– Inceneratorët, Tabaku: Si u zhvatën 430 mln euro përmes lidhjes në qeveri me treshen Zoto-Gugallja-Mërtiri
– KE apel Shqipërisë: Kujdes me politikat fiskale, PPP-të dhe stabilizimin e çmimeve
– Kriteret, “thembra e Akilit” e tenderave! Rrëfimi i ish-zyrtarit: Si kopsiten për të paracaktuar fituesin
– PS rrëzon hetimin parlamentar të investimeve strategjike: Cenon pavarësinë e Qeverisë

Ndërlikimi shkon përkundër thirrjeve dhe rekomandimeve të ekspertëve vendas e të huaj që kanë kërkuar thjeshtim procedurash dhe rritje transparence në vendimmarrje. Thjeshtimit të procedurave dhe transparencës i mëshoi edhe Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, kur njoftoi në konferencën vjetore për mediat idenë e prezantimit të një pakete antikorrupsion.

Deklarata e Enio Jaços ka marrë mbështetjen e opozitës. Deputetja Jorida Tabaku tha se opozita po punon me ekspertët, përfshirë këtu edhe të Dhomës Amerikane të Tregtisë, për formulimin e një drafti me ndryshimet ligjore të nevojshme që sipas saj do të forcojnë luftën kundër korrupsionit.

Tabaku nuk dha detaje, por një shembull të paketës e kishte dhënë më herët Presidenti i AmCham.

“Duhet të ketë procedura të shkurtuara në lidhje me investimet, me lejet e ndërtimit e të tjera. Shembulli më i mirë në rajon është Maqedonia e Veriut. Duhet të bazohemi në procedura të thjeshta, të përqëndruara dhe të shpejta dhe ndërveprimi mes investitorëve dhe administratës të jetë sa më i ulët i mundshëm, gjë që në Shqipëri është e kundërta”, tha Jaço.

Ndërhyrjet në ligjin për prokurimet publike pas 2013-s kanë qenë disa herë, por thelbi i ligjit pak ka ndryshuar. Ligji u ndryshua fillimisht për të prezantuar konceptin e partneritetit publik-privat, apo PPP-të. Me këtë skemë u dhanë edhe inceneratorët e Elbasanit dhe të Fierit, që janë nën hetim nga SPAK. Nga raportet e FMN-së, BB-së dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë më shumë se përcaktimet ligjore u kritikua më vonë numri i lartë i PPP-ve dhe dhënia e tyre pa studime të mirëfillta kosto-përfitim.

Termi tjetër që u përfshi ishte edhe oferta e pakërkuar. Termi përdorej për koncesione apo PPP për të cilat për herë të parë shfaqte interes një kompani e caktuar private. Në këmbim, nëse oferta e pakërkuar merrte miratimin, kompania propozuese përfitonte një bonus që i jepte një avantazh të ndjeshëm gjatë konkurrimit në tender me kompanitë e tjera.

Pas presionit edhe ndërkombëtar, oferta e pakërkuar u hoq nga procedurat e prokurimit, por në të njëjtën periudhë iu zgjat afati ligjit për investimet strategjike. Ligji bën pjesë te aktet normative të kritikuara nga opozita dhe të marrë me rezerva nga partnerët ndërkombëtarë. Opozita e cilëson si ligj të kopsitur posaçërisht për të dorovitur njerëz të afërt me pushtetin dhe klientë të Qeverisë e Partisë Socialiste. Në fakt, vetëm 10 persona kanë përfituar deri më tani nga ky ligj në 36 procedura në total. Mes tyre janë familjarë të ministres së Jashtme, Olta Xhaçka dhe aktori Gazmend Paja.

Por, problematika e tenderave shkon përtej ligjit dhe procedurave. Në shumicën e tenderave që sot po hetohen nga SPAK akuzat lidhen me mungesën e garës, apo garë fiktive, si në rastin e akuzave ndaj ish-kryebashkiakut të Lushnjes, Fatos Tushe.

Mungesa e garës konsiderohet në rastet kur në tendera merr pjesë vetëm një kompani, ndërsa gara fiktive kur fituesi dyshohet se është i paracaktuar dhe dy kompani të tjera marrin pjesë në procedurë vetëm për ta ligjëruar atë formalisht, pa paraqitur oferta.

Shembulli tipik është tenderi në tre lotet e Unazës së Re nga Pallati me Shigjeta te ish-Sheshi Shqiponja. Në tenderat e organizuar në të treja lotet, kompania “Vëllezërit Hysa” u regjistrua si pjesëmarrëse në garë, por nuk dorëzoi ofertë në asnjërin prej tyre.

Kriteret janë gjithashtu një tjetër pikë e dobët e tenderave. Qepja e tyre sipas kostumit të kompanisë, apo kompanive që është paracaktuar fituese përmes aferave të dyshuara korruptive është një praktikë e rëndomtë.

Për të na orientuar mbi absurdin e kritereve na sjell në kujtesë rastin e bujshëm të një tenderi të Bashkisë së Vlorës pak vite më parë. Kusht për kompaninë fituese? Të kishte njërin prej inxhinierëve të saj të diplomuar në vitin 1971.

Tenderi në fjalë është hapur në shtatorin e vitit 2016 me objekt rehabilitimin e rrugëve “Ramize Gjebrea”-“Gjon Bocari”. Vlera e tenderit ishte rreth 67 milionë lek. Mes kritereve të vendosura përcaktohej që në përbërje të kompanisë të ishin të paktën 5 inxhinierë urbanistikë, transporti e ndërtimi civil. Mes këtij kushti të madh ishte një nënkusht i çuditshëm përjashtues në garë. Nënkushti përcaktonte se inxhinieri i ndërtimeve civile të ishte i diplomuar në vitin 1971.

Prandaj, sfida e paketës antikorrupsion që synon të dorëzojë Dhoma Amerikane e Tregtisë do të jetë në këto tre drejtime përmes thjeshtimit të procedurave. Por, çështja është sa do të merret parasysh nga politika propozimi, përsa kohë nga 40 rekomandimeve që ka paraqitur në 2020 për të përmirësuar klimën e biznesit, Dhoma thotë se pas 2 vitesh janë marrë parasysh vetëm një e treta e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë