Gazeta Si – Tre aksidente brenda më pak se një ore kanë ndodhur në rrugët e Shqipërisë rreth mesditës së kësaj të enjteje në Durrës, Lushnjë dhe Fier.
Tre persona janë lënduar në zonën e quajtur “4 Rrugët”, në Fllakë të Durrësit. Rreth orës 11:40, shtetasi M.Ç., 25 vjeç, ka humbur kontrollin e automjetit që drejtonte dhe ka përplasur murin rrethues të një magazine.
Si pasojë e përplasjes është dëmtuar shtetasi M. Ç. dhe pasagjerët në mjet, E. D. dhe I. M., të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Më pas, një aksident ka ndodhur në Baypass-in e autostradës në Lushnjë.
Çifti i të moshuarve A.Gj., dhe O.Gj., duke udhëtuar me mjetin e tyre tip “Ford”, kanë humbur kontrollin e janë përplasur me bordurën ndarëse te autostradës. Në drejtim të mjetit ka qenë 81-vjeçari, i cili është dëmtuar me gjithë bashkëshorten.
Me dy ambulanca, çifti është transportuar me urgjencë për në Spitalin e Lushnjës dhe janë nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.
Po ashtu, tre automjete janë përplasur me njëra-tjetrën në mesditë në aksin e vjetër rrugor Fier-Levan.
Ngjarja, ndodhi 50 metra pas kthesës për në Zhupan, në drejtim sensi lëvizjeje drejt Fierit. Nga përplasja fatmirësisht raportohet vetëm për dëme materiale.
Aksidenti ka shkaktuar kaos në qarkullimin e mjeteve dhe radha shkoi në drejtim të Fierit dhe në drejtim të Levanit me afro një kilometër nga dyja anët e qarkullimit.
Policia Rrugore ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen dhe shkaqet e këtij aksidenti, si dhe për normalizimin e qarkullimit rrugor në këtë segment.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje