Kabineti qeveritar i Boris Johnson është tronditur orët e fundit nga dorëheqja e emrave kryesorë, Rishi Sunak dhe Sajid Javid, përkatësisht ministri i Financave dhe ai i Shëndetësisë.
Kancelari i Financave dhe Sekretari i Shëndetësisë kanë vendosur të largohen nga kabineti qeveritar brenda pak minutash distancë nga njëri-tjetri.
Menjëherë pasi kryeministri britanik kërkoi falje për emërimin e deputetit të turpëruar nga skandali seksual, Chris Pincher, Johnson mori lajmin e dorëheqjes së tyre.
Në letrën e tij të dorëheqjes, Rishi Sunak i tha kryeministrit se “nuk mund të vazhdohet kështu”. Edhe Sajid Javid vuri publikisht në dyshim integritetin, kompetencën dhe aftësinë e Johnson për të vepruar në interesin kombëtar.
“Me keqardhje të madhe më duhet t’ju them se nuk mund të vazhdoj më me ndërgjegje të pastër të shërbej në këtë qeveri. Unë jam instinktivisht një lojtar ekipi, por populli britanik gjithashtu me të drejtë pret integritet nga qeveria e vet”, shkroi Ministri i Shëndetësisë.
“Toni që vendosni si lider dhe vlerat që përfaqësoni, reflektojnë mbi kolegët tuaj, partinë tuaj dhe në fund të fundit vendin. Konservatorët në rastin më të mirë të tyre shihen si vendimmarrës kokëfortë, të udhëhequr nga vlera të forta. Mund të mos kemi qenë gjithmonë të popullarizuar, por kemi qenë kompetent për të vepruar në interesin kombëtar. Mjerisht, në rrethanat aktuale, publiku po arrin në përfundimin se ne tani nuk jemi asnjëra. Votëbesimi muajin e kaluar tregoi se një numër i madh i kolegëve tanë janë dakord. Ishte një moment për përulësi, kontroll dhe drejtim të ri. Me keqardhje them, megjithatë, se është e qartë për mua se kjo situatë nuk do të ndryshojë nën udhëheqjen tuaj dhe për këtë arsye ju keni humbur besimin tim gjithashtu”, shtoi më tej Javid. \Reuters\
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje