Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, nuk ishte në mbledhjen e Këshillit të Rregullores, ku paraprakisht kishte konfirmuar praninë e saj, për një kërkesë depozituar nga opozita për heqjen e mandatit me argumentin se është në konflikt interesi pasi bashkëshorti i saj është shpallur nga qeveria investitor strategjik. Përfaqësues nga ana e saj ishte avokati Genci Çifligu i cili ka mbajtur një argumentim juridik prej rreth një ore në mbrojtje të rastit “Xhaçka”.
Me pak fjalë, ai ka sqaruar se dhënia e statusit të investitorit strategjik nuk është në kushtet e konfliktit të interesit, se nuk ka kontratë apo nën kontratë mes shoqërisë së bashkëshortit të deputetes Xhaçka dhe ndonjë institucioni publik, si dhe Gjykata Kushtetuese mund të vihet në lëvizje vetëm kur deputeti kryen veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit.
Mbledhja filloi dhe mbaroi me fjalën e avokatit ndërsa Lindita Nikolla njoftoi seancën e radhës javës tjetër duke mos pranuar apo refuzuar ndërhyrjet që vinin nga deputetë të opozitës.
Gazment Bardhi mundi t’i japë shpjegimet e tij vetëm pas mbledhjes në një dalje për mediat.
Bardhi tha se ministrja “u fsheh pas avokatit nga frika e përballjes me faktet”.
“Sot ishte thirrur për t’u dëgjuar vetë ministrja e deputetja Olta Xhaçka, me një rast të pashembullt zgjodhi të fshihej pas një avokati duke detyruar kryetaren e Kuvendit që seancë dëgjimore ta kthente ne seancë leximi.
Në shkelje të Kushtetutës e rregullores nga frika e përballjes me faktet, sot seanca dëgjmore për fat të keq u kthye në seancë leximi.
Disa nga pyetjet që do i drejtonim avokatit: Si ka mundësi që 8 mijë metër katrorë të vijës bregdetare të përfituar nga Xhacka e burri i saj konsiderohen si hiç
Cili nga qytetaret shqiptare i palidhur me ministren ka pasur mundësi të përfitojë 8 mijë metër katrorë ne vijen bregdetare me një çmim qesharak 3 lekë e kjo të konsiderohej si veprimtari jo fitimprurëse?
Ministrja ka pranuar se burri i saj ka përfituar nga pasuritë publike nga një ligj që ka miratuar ajo me firmë të eprorit direkt të saj kryeministrit Rama”, tha Bardhi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje