Gazeta Si – Që në Shqipëri nuk dimë t’i trajtojmë kampionët e mëdhenj, ata të vërtetët, që na sjellin medalje ari, kjo është e ditur. ‘Tapetet e kuq’ në Rinas harrohen shpejt. Pastaj plasin skandalet.
Mjaftoi një status i koduar i peshëngritësit Briken Calja për të zbuluar skandalin e radhës. Në qendër të këtij skandali na qenka vetë FSHP (Federata Shqiptare e Peshëngritjes).
Statusi i Caljes ndoshta nuk ishte shumë i vështirë për t’u kuptuar, por çkodimin e tij e bënë më të lehtë vetë aktorët e sportit në Shqipëri.

Dhe na doli që ata që mburren pa fund me medaljet e sportistit kampion na e sorollatkan pa fund atë, deri sa i ka sosur durimi. Calja nuk akuzonte direkt askënd. Ai shkruante në status për dy gabime të tij, besimin te njerëzit e gabuar dhe tolerimin e tepërt.
Kampioni ‘kërcënonte’ po ashtu se e vërteta do të dalë shpejt në shesh. Kjo fjali e fundit bëri që të zbulohej skandali me shpërblimin financiar, edhe pse nuk ishte kjo çështje qëllimi i postimit të Caljes, siç ai vetë sqaroi në një postim të dytë sot.
Ata që kanë lidhje me këtë çështje reaguan menjëherë. Ministrja Kushi sqaroi se nga institucioni që ajo drejton e kishte bërë punën e vet. Po atëherë? Shigjetat kaluan te Federata e Peshëngritjes, të cilën Calja e akuzoi për gënjeshtra dhe hipokrizi në statusin e dytë.
“Së pari, postimi i bërë dje në profilin tim, nuk ka lidhje me shpërblimet financiare të medaljeve të fundit. Për çdo postim në profilin tim mbaj përgjegjësi morale, prandaj është e udhës të sqaroj konkretisht disa situata dhe mos t’i lihet vend keqintepretimeve.
Së dyti, meqë kartat për temën e shpërblimeve u hapën mbi tryezë, doja të sqaroja dhe të vija pikat mbi “i” për disa gjëra. Qeverisë dhe Ministrisë i jam vërtet mirënjohës për Ligjin e ndryshuar të Sportit dhe për procedurat korrekte në lidhje me shpërblimet e sportistëve për medaljet e fituara.
Për Federatën e Peshëngritjes doja thjesht të shprehja keqardhje për gënjeshtrat dhe hipokrizitë e vazhdueshme. Nëse në llogarinë e Brikenit ka ardhur shpërblimi i plotë i medaljeve, siç federata pretendon, është lehtësisht e verifikueshme.
T’i lëmë mënjanë hipokrizitë dhe gënjeshtrat, por t’i japim drejtim punës si duhet. Mbaj përgjegjësi morale dhe ndoshta edhe më tepër për fjalitë e fundit në lidhje me Federatën e Peshëngritjes”, – shkruan Calja.

Më pas ka ardhur edhe qëndrimi i FSHP-së, që e kalonte fokusin te shuma që sportisti ka ende për të marrë: “FSHP ju bën me dije se të gjithë sportistët, Evangjeli Veli, Erkand Qerimaj, Briken Calja, Samuel Bishanaku dhe Krenar Shoraj janë shpërblyer nga qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe e Sportit me rreth 400 milionë lekë të vjetra.
Është e vërtetë që sportisti Briken Calja shpërblimin e ka marrë javën e kaluar prej 178 milionë lekë të vjetra. Pas dorëzimit të aktit noterial, diferenca prej 10 milionë lekë të vjetra do t’i kalojë sportistit Briken Calja ditën e nesërme dt. 12.07.2022”.
Pse duhet të arrijë puna deri këtu? Pse çështje të tilla duhet të zgjidhen pas reagimit publik të një kampioni? Pse duhet trajtuar kështu një sportist që i sjell Shqipërisë medalje ari?
Dikush ka përgjegjësi. Një situatë vërtet e papranueshme dhe nuk mjafton vetëm evidentimi i fajtorëve. Sportistët elitarë meritojnë një trajtim elitar. Para se të shohim statusin e radhës nga ndonjë prej tyre, Luiza Gega fjala bie, kjo cështje duhet sistemuar njëherë e mirë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje