Presidenti I Republikës, Ilir Meta, ka ndarë në Facebook një lajm të publikuar në një media ku disa kompani të lidhura me inceneratorët “drejtoheshin” nga qytetarë të ndarë nga jeta prej vitesh.
“Krimi dhe kapja e shtetit ka kapërcyer çdo imagjinatë. Ndërsa për të marrë pensionin u kërkohet pensionistëve që të paraqiten fizikisht për të provuar se janë gjallë, miliona euro të taksapaguesve tanë grabiten nga mafia e inceneratorëve me firma të falsifikuara të qytetarëve, që janë ndarë nga kjo botë prej 5 vitesh. Vetëm lufta e hapur kundër kapjes së shtetit dhe korrupsionit parandalon falimentimin e Shqipërisë. Koha nuk pret më!”, shkruan Meta në Facebook.
Meta i bëri thirrje edhe Kuvendit që të reagojë dhe të ketë një qëndrim në lidhje me skandalin siç e quan ai me evazionin fiscal, të cilin e lidh me inceneratorin e Tiranës. Deklaratat Meta i bëri në një dalje për mediat:
“Përveç pensionistëve që janë në azile dhe që figurojnë në mënyrë të paditur në veprime që kapërcejnë me 30 milionë, çobanë me rrogë 300 euro dhe figuron me veprime të pakryera nga ai me miliona euro, dhe së fundmi për të kuptuar banalitetin e tejskajshëm të kësaj babëzie; është zbuluar edhe për një qytetare që është ndarë nga kjo tokë të paktën para 5 vitesh, por në emër të saj në këto vite janë kryer veprime për transaksione me të paktën 5 milionë euro.
Çfarë t’i bëjmë ne qeverisë që thotë se s’ka para për helikopter për zjarret ndërkohë që në sytë e opinionit publik del një situatë kaq e rëndë korrupsioni dhe flagrante, që është edhe më poshtëruese për çdo qytetar të këtij vendi. Në këto kohë krize kur duhet rritur mbështetja për qytetarët në nevojë, shohim që askush nuk mban përgjegjësi. Shohim që prej vitesh bëhen veprime të tilla dhe bëhen në banka.
Çfarë janë këto banka që pranojnë të tilla veprime, çfarë është kjo QKB, ku është krimi ekonomik, ku është institucioni i pastrimit të parave? Kush mban përgjegjësi për të gjitha këto skandale? Si mund të vazhdojë kjo aferë e inceneratorëve, kur dihet shumë mirë që këto para shkojnë për krimin. Ende nuk ka filluar as maja e ajsbergut të aferës së inceneratorëve”, u shpreh Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje