Politike

Baza e re detare për NATO-n në Shqipëri, ‘një sinjal paralajmërues’ për Putinin

Gazeta Si – Takimi që do të mbajë këtë të mërkurë në Bruksel kryeministri Rama dhe kreu i NATO-s Stoltenberg në lidhje me projektin e bazës detare në Durrës, shihet si një paralajmërim për Rusinë.

Mediat britanike theksojnë se vizita e kreut të qeverisë, ka të bëjë me dhënien e dritës jeshile të Tiranës për ndërtimin e bazës së re detare në zonën e Porto Romanos.

“Shqipëria i ka dërguar një sinjal paralajmërues presidentit rus Vladimir Putin përpara një takimi me NATO-n në lidhje me një bazë të re detare në vend”, – shkruan e përditshmja britanike Express.co.uk.

Baza e re detare do të ndërtohet me financim të shtetit shqiptar dhe Aleancës së NATO-s.

Shqipëria shpenzon aktualisht rreth 1.53 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto për fondet e mbrojtjes, afro 25% më pak nga sa u konludua në Samitin e Madridit, ku shtetet anëtare ranë dakord që të shpenzonin minimalisht 2% të GDP-së.

“Në maj, zoti Rama tha se qeveria e tij i kishte ofruar NATO-s bazën detare të Pashalimanit në jug të Shqipërisë, në Orikum. Pashalimani ka shërbyer si baza e vetme e Bashkimit Sovjetik në Mesdhe gjatë viteve 1950, kur regjimi komunist ishte në të njëjtën linjë me Moskën. Pas rënies së komunizmit, ajo u rindërtua me ndihmën e Turqisë, e cila ruajti të drejtën e përdorimit të saj. Marina shqiptare ende sot e përdor bazën për disa operacione dhe stërvitje”, – vijon gazeta.

NATO po transformon gjithashtu ish-bazën ajrore ushtarake të epokës komuniste në Kuçovë. Rinovimi i bazës do të kushtojë rreth 40 milionë euro dhe do të bëhet funksional në vitin 2023.

Ajo do të shërbejë si një depo për municionet, si dhe do të veprojë si një qendër furnizimi me karburant.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë