Politike

Rama me Stoltenberg: Baza detare në Durrës, e ‘fjalës së fundit’. Të vijojmë dialogun me Serbinë, por edhe Kosovën

Konferenca e përbashkët për shtyp e kryeministrit Edi Rama me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, u parapri nga disa pamje të takimit nga vetë Rama në faqen e tij Facebook.

Më pas Konferenca për shtyp që zgjati fare pak, pa pyetje me secilin deklaratën e tij.

“…Ne qëndrojmë me forcë në solidaritet të plotë me Ukrainën dhe sigurisht që është e padiskutueshme mbështetja jonë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht, mbështetje që është më e palëkundur se kurrë.

Nga ana tjetër, është e rëndësishme që ne të vazhdojmë bashkëbisedimin tonë përkundrejt situatës dhe po kështu edhe detyrimet që ne kemi në Ballkanin Perëndimor, që pikërisht të parandalojmë çdo përshkallëzim e të parandalojmë që çdo ndikim i keq të kthehet në problem për rajonin tonë.

Në kapacitetin tonë si vend aleat dhe si vend kandidat për në BE, ne do vazhdojmë të luajmë rolin tonë tradicional, në mbështetje të paqes rajonale, pajtimit dhe sigurisht, stabilitetit.

Ndërkohë që koncepti i ri strategjik që sapo kemi miratuar thekson rolin strategjik të Ballkanit Perëndimor për NATO-n, ne besojmë shumë se është tejet e rëndësishme që të vijojmë një dialog të përhershëm me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë, e cila nuk është pjesë e aleancës sonë, por ende është pjesë e rajonit tonë.

Nga ana tjetër, pata dhe njëherë shansin t’ju them atë që kam përmendur tashmë në Samit. Nevojën për të konsideruar përfshirjen e Kosovës në partneritetin për paqe edhe pse e dimë që ka disa kufizime politike nga disa aleatë dhe e dimë që ky është organizëm konsensual. Megjithatë, në kohët ku jetojmë, në këndvështrimin tim modest, është vërtetë e mençur që kjo të ri konsiderohet”.

Për të vijuar më pas me vetëm disa fjale të shkurtra rreth projektit të mundshëm për ndërtimin e një baze detare  të NATO-s në Porto Romano.  

“Së fundmi në radhë, por jo nga rëndësia, e vlerësoj shumë disponibilitetin tuaj për të na kushtuar pak kohë në bisedën tonë për t’ju prezantuar ambicien tonë, për të shtuar një vlerë tjetër të rëndësishme në infrastrukturën dhe logjistikën e aleancës sonë, duke vënë në dispozicion të NATO-s një bazë të flotës detare të fjalës së fundit që do të jetë një vend që jo vetëm mund të ndërtojmë, por mund ta ndërtojmë duke patur parasysh sfidat e kohës sonë, nga ndryshimi i klimës, nga mbrojtja e mjedisit e gjithçka tjetër”.

Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg përshëndeti  Shqipërinë për firmosjen e dekreteve për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO, por nuk përmendi bazën detare.

“Ne e vlerësojmë angazhimin e Shqipërisë për të nxitur stabilitet dhe bashkëpunim në rajon. Në samitin e NATO-s në Madrid ne morëm vendime me efekte mjaft thelbësore për të transformuar dhe forcuar Aleancën dhe këtu përfshihet një ndryshim thelbësor në qëndrimin tonë të parandalimit dhe të mbrojtjes, një mbështetje për Ukrainën si dhe një koncept te ri strategjik.

Ne po kështu ramë dakord të ftojmë Finlandën dhe Suedinë që të anëtarësohen në NATO dhe përgëzoj Shqipërinë për ratifikimin e protokolleve të anëtarësimit për të dyja vendet kaq shpejtë! Faleminderit shumë!

Kjo dëshmon se dera e NATO-s mbetet e hapur dhe se vazhdojmë të përkrahim të drejtën e çdo vendi të zgjedhë rrugëtimin e vet. Mirëpritja e Finlandës dhe Suedisë në aleancë do t’i bëjnë ata më të sigurt, NATO-n më të fortë dhe botën më të sigurte. Kjo është jetike ndërkohë që përballemi më krizën më të madhe të sigurisë në dekada.

NATO qëndron me Ukrainën ndërkohë që mbron veten e saj ndaj luftës mizore të Rusisë. Ne po ofrojmë modele të pashembullta mbështetjeje dhe kjo do të vazhdojë edhe në afat të gjatë. Unë mirëpres mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën si edhe angazhimin tuaj të fundit për ndihmë humanitare.

Gjithashtu dhe vizita juaj e fundit në Ukrainë ishte një dëshmi e rëndësishme solidariteti”, tha Slotenberg.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë