Politike

Harta e re gjyqësore, Dhurata Çupi: 10 orë për një proces gjyqësor, do duhen 20 vjet për zgjidhjen e një padie  

Në seancën dëgjimore të kërkuar nga deputetët e opozitës, Dhurata Çupi ka kontestuar para kryetares së KLGJ-së dhe ministrit të Drejtësisë hartën e re gjyqësore e kundërshtuar fort edhe nga avokatët.

Harta e Re Gjyqësore sjell riorganizimin e gjykatave të shkallës së parë nga 22 gjykata të rretheve gjyqësore në 13 të tilla.

Harta sjell gjithashtu riorganizimin e gjykatave të apelit, nga 6 gjykata në një të vetme me seli në Tiranë, si dhe 6 gjykatat administrative të shkallës së parë do të riorganizohen në dy të tilla, përkatësisht në Tiranë dhe Lushnjë.

Në total do të mbyllen 18 gjykata.

“Në fund të vitit 2021, Gjykata e Apelit Tiranë kishte 6.348 cështje penale dhe 7.507 cështje civile të pagjykuara, pra në total 13.855 cështje. Nga 31 gjyqtarë që duhet të ketë kjo gjykatë, aktualisht ka vetëm nëntë. Tendenca aktuale për zgjidhjen e një cështjeje shkon deri në 5820.1 ditë ose 15.95 vjet. Pra, një qyteti apo biznesi që ka marrë një vendim të shkallës së parë mund t’i duhen deri në 15 vite që vendimi të marrë formë të prerë, rrjedhimisht të bëhet i ekzekutueshëm. Të dhënat e mësipërme janë ekstraktuar nga raporti vjetor i Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Megjithatë, projekti i Hartës së re Gjyqësore parashikon mbylljen e pesë gjykatave të apelit dhe transferimin e të gjitha cështjeve për t’u gjykuar në Gjykatën e Apelit Tiranë. Sipas të dhënave të KLGJ-së, aktualisht në rang vendi janë 28.671 cështje që pritet të gjykohen në Apel. Për përballimin e kësaj ngarkese, projekti i KLGJ-së parashikon gjithsej 78 gjyqtarë, c’ka me gjendjen aktuale do të thotë 368 cështje për gjyqtar. Megjithatë, kjo shifër është marrë në kushtet kur organika e Gjykatës së Apelit Tiranë do të ishte e plotë, pasi në kushtet aktuale për shkak të procesit të rivlerësimit nuk është as gjysma e kësaj trupe në detyrë, ndërkohë që të tjerë gjyqtarë janë akoma në proces rivlerësimi dhe mund të largohen nga detyra”, renditi Çupi.

Foto nga seanca degjimore ne Komisionin e Ligjeve

Sipas saj, shifrat e paraqitura në raportin vjetor të KLGJ-së rezultojnë të papërputhshme me të dhëna që gjenden në faqen zyrtare të gjykatave të apelit sipas të cilave deri në datën 30 qershor 2022 ka 40.305 cështje në shqyrtim të pagjykuara, dhe kjo shifër në rang vendi arrin 92.453 cështje.

“Diferenca ndërmjet shifrave në raportin vjetor të KLGJ-së me shifrat në faqen zyrtare të gjykatave janë në masën mbi 60%. Nëse kjo do të ishte gjendja reale e gjykatave, atëherë problemi që krijohet për shkak të kompozimit të ri gjyqësor, do të ishte akoma më i rëndë pasi cdo qytetari apo biznesi do t’i duheshin disa dhjetëra vite që cështja e tij të gjykohej dhe merrej një vendim përfundimtar.

Për të pasur një projeksion se si do të jetë gjendja në Gjykatën e Apelit Tiranë, nëse 5 gjykatat e tjera do të mbyllen, vlerësojmë se është me vend t’i hedhim një sy Gjykatës Administrative të Apelit gjatë vitit 2021. Kjo Gjykatë ka në organikën e saj 13 gjyqtarë, nga të cilët vetëm 5 janë në detyrë. Sa i përket cështjeve të pashqyrtuara, nga të dhënat zyrtare të KLGJ-së rezulton se në vitin 2021 mbeteshin 18.415 cështje për t’u gjykuar. Për zgjidhjen e një cështjeje, tendenca është, që në kushtet aktuale, duhen mesatarisht 7577.8 ditë ose 20.7 vjet. Këto shifra janë mjaft domethënëse për të treguar se krijimi i një gjykate apeli në nivel kombëtar, mund të sjellë vonesa dhe zvarritje të proceseve aq të gjata deri në humbjen e interesit të qytetarëve dhe bizneseve për ndjekjen e tyre”, vërejti ajo.

Kryetari i Dhomës së Avokatëve, Maks Haxhia gjatë seancës dëgjimore

 “Metodat e përdorura nga KLGJ për riorganizimin gjyqësor janë të tilla që krijojnë mjaft probleme sa i përket besueshmërisë së tyre. Fjala vjen, KLGJ e ka bërë matjen e afërsisë së individit me gjykatën bazuar në aplikacionet “ORSM” dhe “Google Map”, dhe jo me matje reale, cka do të mjaftonte për t’i vënë kapak këtij diskutimi sa i përket seriozitetit dhe cilësisë së këtij shërbimi. Aplikacionet mund të funksionojnë në vende si Gjermania dhe Franca, por në një vend si Shqipëria ku infrastruktura është shumë e dobët, një distancë 4 km nga Lapraka në Gjykatën e Apelit Tiranë do 40 minuta kohë dhe jo 10 min që jep aplikacioni”, vërejti Cupi.

“Sot që flasim një qytetari për të shkuar në Gjykatën e Shkallës së Parë mund t’i duhen nga 1 – 1.5 orë, ndërsa sipas riorganizimit gjyqësor qytetarëve do t’iu duhen 2.5 – 3.5 orë për të arritur në gjykatë. Sa i përket gjykatave të apelit, qytetarëve mund t’iu duheshin deri në 2.5 orë për të aksesuar gjykatën, ndërsa me riorganizimin gjyqësor do t’iu duhen deri në 5 orë. Pra, mendojeni pak 5 orë do të thotë 10 orë për të ndjekur një proces gjyqësor vajtje dhe 5 orë ardhje,. Për ilustrim, një qytetari që banon në fshatrat e Shkodrës, Pukës, Korcës apo Gjirokastrës dhe ka një proces gjyqësor në orën 09:00, do t’i duhet të niset rreth orës 4 ose 5 të mëngjesit në mënyrë që të arrijë rreth orës 08:45 në gjykatë. Të njëjtat distanca do të duhet të përballohen edhe nga avokatët e palëve, duke rritur kështu kostot e dyfishta në kohë dhe para për qytetarin. Këto janë përllogaritje të bëra nga vetë KLGJ, nëpërmjet aplikacioneve online, që sic e thamë më lartë vështirë se mund të merren për referencë në kushtet infrastrukturore të Shqipërisë”, renditi ajo.

Por kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami tha se për hartimin e harës së re gjyqësore ata kanë  marrë ekspertizën nga vendet e huaja. Por deputeti i PD-se, Gazment Bardhi tha se ky eshte model unik qe nuk haset askund ne Evrope.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë