Në raportimet vjetore në Kuvend, Kreu i SPAK, Arben Kraja, dhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela paraqiten veçmas punën një vjetore të institucioneve që ata drejtojnë për vitin 2021.
Gjatë raportimit, Kraja tha se gjatë vitit që lamë pas, janë regjistruar 15 procedime penale dhe janë hetuar 25 persona, ku kanë përfunduar dhe kanë shkuar në gjykatë 3 procedime për 7 të pandehur.
Gjithashtu ai shtoi se janë dënuar 13 persona dhe janë sekuestruar 70 milionë euro pasuri e luajtshme dhe e paluajtshme.
“Prioritet i rëndësishëm i Prokurorisë së Posaçme ka qenë rritja e bashkëpunimit me agjencitë e huaja, janë mbajtur kontakte të vazhdueshme me agjencitë amerikane, italiane, gjermane dhe blege.
Në prokurorinë e Posaçme kanë ushtruar funksionin 15 prokurorë dhe 13 oficerë të ish-prokurorisë së Krimeve të rënda. Në shtator të vitit 2021 kanë filluar funksionin 28 oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Gjatë vitit 2021 janë regjistruar 15 procedime penale, ku përfshihet dhe hetimi i pastrimit të veprës penale, janë hetuar 25 persona, kanë përfunduar dhe dërguar për gjykim 3 procedime penale me 7 të pandehur, janë dënuar 13 persona si dhe janë sekuestruar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë 70 milionë euro.
Gjatë vitit 2021 janë verifikuar 316 materiale pasurore si dhe janë paraqitur dhe miratuar nga gjykata 14 kërkesa për sekuestrim pasurish si dhe janë paraqitur 4 kërkesa për konfiskim pasurish. Në zbatim të aktit normative për të quajturën OFL, Prokuroria e Posaçme gjatë vitit 2021 ka paraqitur në gjykatë 25 kërkesa për sekuestrim pasurie dhe 75 kërkesa për konfiskim pasurie”, tha Kraja.
Ndërsa Kryeprokurori Olsian Çela tha gjatë raportimit në Kuvend se prioritet i organit që ai drejton ka qenë lufta kundër pastrimit të parave
“Në përmbushje të detyrimit të parashikuar po parashtroj një përmbledhje të raportit për vitin 2021. Ka trajtuar 61015 materiale. Nga prokurorët janë ndjekur mbi 47 mijë procedime penale nga të cilat 28 mijë janë procedime të regjistruara këtë vit. Ka një rritje të procedimeve penale të mbartura.
Sa i përket gjykimeve të posaçme nuk janë të kënaqshme të dhënat. Në lidhje me vendimet e gjykatës rezulton se janë dënuar mbi 8000 të pandehur. Për 144 prej tyre është dhënë vendimi për të deklaruar ata të pafajshëm.
Lufta kundër pastrimit të parave ka qenë objektiv prioritar. U vu në funksion sistemi elektronik për të përfituar të dhëna gjithëpërfshirëse. Në kuadrin e forcimit të kapaciteteve prokuroria ka bashkëpunuar me institucione ndërkombëtare”, tha ai.
Çela tha se sa i përket hetimeve për rastet e korrupsionit prokurorët kanë rritur rolin aktiv për hetimet proaktive.
“Me gjithë rezultatet e arritura ende mbetet shumë për të bërë në këtë drejtim. Sa i përket korrupsionit prokurorët kanë rritur rolin aktiv me hetime proaktike për korrupsionin që lidhet me detyra. Janë arrestuar në flagrancë 40 persona të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale.
Për këtë grup veprash penale, janë regjistruar 100 procedime me 87 të pandehur. Janë rritur tre herë numri i procedimeve të regjistruara”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje