Gazeta Si – Oliver Várhelyi, përsëriti edhe një herë se Shqipëria është gati për të filluar negociatat me Bashkimin Europian.
Komisioneri europian për zgjerim dhe fqinjësi, së bashku me kryeministrin Edi Rama, ku inspektuan në Vlorë By Passin, investim i financuar edhe BE, u shpreh se java e ardhshme është vendimtare.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut do të vijojë edhe nesër diskutimet për propozimin francez, por komisioneri u shpreh optimist se javën e ardhshme do të kemi një lajm të mirë në këtë drejtim.
“Është bërë një punë vërtet shumë e madhe. Shqipëria është gati për të filluar negociatat me konferencën e parë ndërqeveriare dhe nuk ka dyshim, nuk ka pikëpyetje asgjëkundi që Shqipëria ka bërë çdo gjë që ishe e nevojshme për të arritur te konferenca e parë ndërqeveritare, – tha ai. – Për këtë arsye unë jam shpresëplot që në ditët e pakta në vijim ne do të kemi lajmin e mirë dhe që java e ardhshme do të jetë ajo javë për të cilën ne kemi aq kohë që presim”.
Ndërkohë, sa i përket debatit që po zhvillohet në Maqedoninë e Veriut për të pranuar ose jo propozimin francez që i hap rrugë heqjes së vetos bullgare, kryeministri Edi Rama u shpreh se nëse kjo nuk pranohet nga pala maqedonase, Shqipëria do të kërkojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut për procesin e negociatave me BE-në.
“Nëse rezultati nuk do të jetë pozitiv, ne të nesërmen menjëherë do kërkojmë ndarjen e dosjes së Shqipërisë nga dosja bullgaro-maqedonase dhe ne jemi të bindur që Shqipëria duhet t’i çelë negociatat këtë vit pa diskutim. Të presim fundin e këtij debati maratonë që parashikohet të zhvillohet në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut dhe pastaj të shikojmë hapin tjetër që do hedhim”, theksoi kryeministri.
Sa i përket projektit të By Passit të Vlorë, eurokomisioneri Varhelyi përgëzoi autoritetet shqiptare për punën e bërë dhe deklaroi se këto vepra do t’u shërbejnë brezave të ardhshëm të Shqipërisë.
Ndërkohë që premtoi se investimet dhe mbështetja e Bashkimit Europian për Shqipërinë do të vazhdojë me projekte të tjera.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje