Presidenti në detyrë i Republikës Ilir Meta i ka dërguar një letër 11 institucioneve në vend përfshi SPAK në lidhje me një shqetësim për rastet vendimeve jo transparente nga institucionet financiare jo banka për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura prej konsumatorëve.
Meta shprehet se mungon transparenca për vënien në dijeni të qytetarëve të konsideruar debitor për detyrime financiare, gjë që sipas tij po shkakton tronditje të rëndë ekonomike, sociale dhe psikologjike, duke cenuar cilësinë e jetës së shumë familjeve shqiptare.
Presidenti ne detyrë thotë se ka të dhëna për një situatë alarmante për lejimin e një aktiviteti të mashtrimit publik, e cila kërkon domosdoshmërisht që institucionet publike përgjegjëse të kenë një reagim të shpejtë dhe publik, real dhe të ndjeshëm, duke nisur fillimisht nga një verifikim i situatës dhe shtrirjes së saj.
“Sipas qëndrimeve publike të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, mashtrimi është kthyer në një fenomen masiv dhe prej e kësaj skeme mund të jenë prekur 10 mijë, 30 mijë, apo 100 mijë qytetarë, ndërkohë që organi i prokurorisë ka dy vite që heton lidhur me çështje të kësaj natyre dhe ndaj disa subjekteve, por ende pa ndonjë rezultat konkret të bërë publik”, shkruan presidenti Meta.
Ai kërkon evidentimin e përgjegjësive për çdo shkelës të ligjit dhe marrjen e masave për ushtrimin e aktivitetit të mbledhjes së detyrimeve vetëm nga subjektet të licencuara dhe siç përcakton ligji, duke mundësuar kështu mjete mbrojtëse procedurale për qytetarët.
“…Për fat të keq deri më tani, të paktën publikisht, nuk konstatoj të jenë ndërmarrë masa për të adresuar këtë problematikë, përveç kallëzimit penal që Ministria e Drejtësisë ka bërë në shkurt 2020 në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për shoqëri, administratorë dhe funksionarë të disa prej këtyre shoqërive të mikrokreditit të licencuara, që veprojnë në këtë fushë. Edhe për këtë çështje penale, nuk gjendet një informacion publik që të informojë në mënyrë transparente nëse çështja është ende në hetim penal, apo ka përfunduar dhe cila është mënyra e përfundimit të saj.
Jo vetëm kaq, por dhe media vizive, e shkruar dhe elektronike ka denoncuar publikisht këto fenomene, por sërish nuk kam konstatuar ndonjë reagim apo angazhim serioz të institucioneve shtetërore përgjegjëse për verifikimin, ndjekjen apo marrjen e masave, administrative, penale, apo dhe legjislative nëse do ishte e nevojshme, për të frenuar çdo situatë që realisht paraqet rrezik potencial për dëmtimin gjerësisht të interesave të shtetasve apo të financave publike…”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje