Politike

Shkupi miratoi pengesën e fundit, Rama: Të hënën nisemi për Bruksel për hapjen e negociatave

Delegacioni shqiptar do të niset të hënën në Bruksel për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare mes Brukselit dhe dy vendeve Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut pas miratimit nga kjo e fundit e propozimit francez ne Kuvend.  

Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur vendimin e parlamentit të Shkupit duke njoftuar paralelisht edhe lëvizjen e radhës.

“…Delegacioni shqiptar do të niset të hënën në Bruksel për ta filluar këtë pjesë të re rruge, duke filluar negociatat e anëtarësimit. Do t’ia dalim në krye edhe kësaj pjese të re përpjekjesh, duke u lidhur më ngushtë me shqiptarët dhe duke e synuar me forca të reja majën ku do ta ngjisim me se s’bën Shqipërinë…”, shkruan Rama. Kryeministri beri edhe një përshkrim të rrugëtimit të deritashëm.

“Negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian s’kanë më asnjë pengesë! Parlamenti i Maqedonisë së Veriut sapo ia ka ndezur dritën jeshile propozimit të fundit francez. Pengmarrja absurde e Shqipërisë ka marrë fund.

U deshën plot 3 vite të stërmundimshme nga vendimmarrja e Këshillit Europian për t’i hapur rrugë negociatave, që vargmali i pengesave artificiale të ngritura përpara Shqipërisë të rrafshohet tërësisht. 3 vite të tëra top futbolli nëpër fushat e interesave të politikës së brendshme të vendeve anëtare – pa harruar edhe xhagajdurët e mëmëdheut, grata e non grata, që tërë këto vite nuk i lanë dy gurë bashkë, për ta bllokuar Shqipërinë për llogari të interesave mizerabël të politikës së tyre pa fe, pa atdhe, pa din e as iman. 3 vite me gjëma të pandara, nga tërmeti tek pandemia dhe tani mes pasojave të luftës në Ukrainë mbi çmimin e jetesës këtu e kudo në botë. Këto sfida të jashtëzakonshme kanë vënë në sprovë jo thjesht qeverinë, po karakterin tonë si vend, si bashkësi njerëzish dhe si shumicë qeverisëse natyrisht.

Ja kemi dalë përsëri! Siç ia dolëm me tërmetin e me pandeminë, kur thuajse askush nuk e besonte se do t’ia dilnim, do t’ia dalim edhe me krizën e re që ka sjellë lufta, po edhe me negociatat që do ta bëjnë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian.

Ja kemi dalë pa e ulur ritmin e reformave, të punës e të ndryshimit, pavarësisht premtimeve të pambajtura të BE-së. Do t’ia dalim duke e rritur më shumë ritmin, duke e përmirësuar më tej punën dhe duke e thelluar ende më tepër ndryshimin…”, shkruan Rama

“Ja kemi dalë pa u mposhtur nga zhgënjimet e as nga lëndimet jo të lehta të këtyre viteve. Do t’ia dalim duke vazhduar të nxjerrim mësime dhe duke mos ngurruar në korrigjimin e vetvetes.

Ja kemi dalë me kokën lart, duke arritur ta ngremë Shqipërinë në sytë e më të mëdhenjve, aty ku ajo s’ka qenë kurrë, e vlerësuar dhe e respektuar si e barabartë në çdo marrëdhënie ndërkombëtare. Por të mos e harrojmë, ky nuk është fundi i rrugës sonë, por vetëm fillimi i një pjese të re të rrugës për Shqipërinë që duam”, vijoi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë