Politike

Bllokimi i shërbimeve online, Meta: Kompromentohet funksionimi i shtetit

Presidenti Ilir Meta thotë se bllokimi i shërbimeve publike online për bizneset dhe qytetarët kompromenton rëndë funksionimin e shtetit.

Ai e cilëson situatën e krijuar si tepër të rëndë, ndërsa thotë se në mbledhjet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare ka kërkuar vazhdimisht që të merren të gjitha masat për rritjen e sigurisë kibernetike pas agresioni rus në Ukrainë.

“E vlerësoj tepër të rëndë situatën e krijuar si pasojë e bllokimit të shërbimeve publike online, që ka krijuar vështirësi të jashtëzakonshme për qytetarët, bizneset dhe për shumë veprimtari të tjera të lidhura me këtë sistem. Kjo situatë, në kontekstin edhe të zhvillimeve të brendshme dhe ndërkombëtare, e rëndon akoma më shumë dhe e kompromenton funksionimin e shtetit, në të gjitha hallkat, ku veçanërisht qytetarët janë ata që i vuajnë pasojat më së shumti”, shkruan Presidenti.

Meta kërkon që situata të normalizohet sa më shpejt dhe për këtë të angazhohet ekspertiza e nivelit më të lartë.

“Apeloj marrjen e masave të menjëhershme, serioze dhe të përgjegjshme, duke mobilizuar ekspertizën e nivelit më të lartë profesional për zgjidhjen sa më të shpejtë dhe vënien nën kontroll të situatës, për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen”, mbyll reagimin e tij Presidenti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë