Gazeta Si – Kryeministri italian Mario Draghi ka rikonfirmuar këtë të enjte dorëheqjen e tij tek Presidenti i Republikës italiane Sergio Mattarella.
Tashmë forcat politike po mendojnë të shkojnë drejt votimeve, ndoshta në 2 ose 9 tetor. Por ende nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë zyrtarisht me qeverinë.
Draghi iu drejtua herët në mëngjes zyrës së president Sergio Matarrela, i cili kësaj radhe pranoi letrën e tij të dorëheqjes. Qeveria italiane u shemb pasi tre partnerë kryesorë të koalicionit vendosën të tërheqin mbështetjen e tyre për kryeministrin Mario Draghi.
Kjo do të thotë se votuesit të shkojnë sërish në qendrat e votimit për zgjedhje të reja të përgjithshme – të dytat në katër vjet, të cilat me gjasë do të mbahen në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit.






Liga e Matteo Salvinit, Forza Italia e Silvio Berlusconit dhe Lëvizja Pesë Yje (M5S) e Giuseppe Conte vendosën të abstenojnë ndaj një votëbesimi në Senat të mërkurën.
Edhe pse Draghi arriti të fitonte votëbesimin 95 pro me 38 kundër, abstenimet e aleatëve të tij qartësuan fundin e paktit të unitetit kombëtar të vulosur në shkurt 2021, kur Draghi mori detyrën.
Në 14 korrik presidenti Mattarella kishte refuzuar dorëheqjen e 74-vjeçarit pasi lëvizja 5 yjet abstenoi gjatë një votimi për një paketë stimuluese.
Ai i kishte bërë thirrje Draghit të rimbledhë partitë në parlament dhe të përpiqet të mbledhë mbështetjen e nevojshme për të qëndruar.
Draghi përsëriti thirrjet e tij për unitet në fjalimin e tij në Senat të mërkurën – por më pas Liga dhe Forza Italia njoftuan se nuk do të qëndronin më në koalicion për sa kohë që M5S do të ishte pjesë e tij. Në këtë situatë qëndrimi i Draghit në detyrë nuk ishte më e mundur.
“Në këto ditë marrëzie, Parlamenti vendos të shkojë kundër Italisë”, shkroi në Twitter Enrico Letta, ish-kryeministër që drejton Partinë Demokratike, e vetmja parti e madhe në koalicion që mbështet Draghin në votëbesimin. “Italianët do të tregojnë veten në kutinë e votimit si më të mençur se përfaqësuesit e tyre”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje