Politike

Meta letër Kuvendit: Rama rrezikon interesat kombëtare në bisedimet për detin me Greqinë

Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër të gjatë Kuvendit, në të cilën akuzon Qeverinë dhe Kryeministrin Edi Rama për mungesë serioziteti, mungesë transparence dhe qëndrime që kanë dobësuar pozicionin e Shqipërisë në negociatat, apo procesin e mundshëm në gjykata ndërkombëtare me Greqinë për ndarjen e detit.

Meta thotë se zyrtarisht negociatat e nisura në kohën kur në Greqi qeveriste Alexis Tsipras nuk kanë përfunduar. Ai deklaron se tre anëtarë të grupit negociator janë larguar, por Qeveria nuk ka kërkuar as zëvendësimin e tyre, as autorizim për kryesimin e grupit negociator nga vetë Edi Rama, ashtu siç Meta deklaron se i ka thënë Kryeministri në 2018-n.

Të larguar nga grupi negociator janë Ylber Dogjani, ish-komandant i Forcës Detare, Aida Hajnaj, ish-drejtuese e Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, që u zgjodh në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Artur Meçollari, ish-Drejtor i Drejtorisë së Inspektimit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, i larguar nga kjo detyrë.

“Nga Kryeministri i cili për periudhën shkurt 2019-janar 2021 mbajti njëkohësisht dhe detyrën e Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme nuk është përcjellë asnjë kërkesë për pajisje me autorizim për vete apo për ndryshimin e grupit negociator, si dhe nuk ka përcjellë asnjë informacion shterues mbi ecurinë e këtij procesi negociator, apo mbi masat dhe analizat që ai (Kryeministri) ka ndërmarrë mbi kërkesat zyrtare të Presidentit”, thotë Meta.

Presidenti e cilëson të papranueshme dhe të rëndë që për çështje të interesit kombëtare vihet në dijeni nga mediat greke.

“Presidenti veç të tjerave ka evidentuar një mungesë transparence nga ana e qeverisë Shqiptare, çka është e papranueshme për një çështje me rëndësi të jashtëzakonshme, kombëtare, shtetërore, gjeostrategjike, ekonomike, të sigurisë kombëtare dhe marrëdhënieve ndërshtetërore, me një nga vendet fqinje. Asnjë prej kërkesave për informacion të Kreut të Shtetit nuk ka pasur një përgjigje shteruese, serioze dhe të vlerësuar në mënyrë të thelluar si nga Kryeministri ashtu dhe nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme zoti Edi Rama”, vijon Letra.

Meta deklaron se zyrtarisht as Shqipëria dhe as Greqia nuk kanë njoftuar apo deklaruar përfundimin e negociatave dhe as mbylljen e tyre pa rezultat, apo të kenë evidentuar se cilat janë ato çështje që përfundimisht nuk është rënë dakord midis palëve dhe çfarë rruge apo procedure do të ndiqet.
Ai akuzon Ramën se ka dëmtuar interesat kombëtare si Kryeministër dhe si ministër i Punëve të Jashtme, post që e mbajti pas largimit të Ditmir Bushatit.

“Mosangazhimi i tij për tu pajisur personalisht me autorizim nga Presidenti i Republikës, e për të udhëhequr negociatat që prej 13 qershorit 2018 datë që përkon me realizimin e takimit midis Presidentit dhe Kryeministrit; realizimin e takimeve apo bisedimeve për çështje të kufizimit të zonave detare jashtë kuadrit negociator, pa autorizim nga Presidenti i Republikës dhe pa u konsultuar apo dakordësuar me Këshillin e Ministrave, Kuvendin, Presidentin e Republikës”, shton Meta.

Dëmtuese, sipas Metës, kanë qenë edhe deklaratat pohuese të Ramës për vendimin e Greqisë për t’u zgjeruar me 12 milje në Detin Jon.

“Deklaratat dhe qëndrimet publike të Kryeministrit Rama përmes të cilave ka pohuar/mbështetur zgjerimin e ujrave territorialë të palës Greke në 12 milje detare apo mbylljen e gjireve, për hapësirën objekt negocimi midis dy vendeve, ndërkohë që të dy vendet janë zyrtarisht në negociata për këtë çështje, natyrshëm që dobësojnë pozitën dhe strategjinë negociatore të palës shqiptare dhe ekziston mundësia që këto deklarata të ndikojnë në procesin negociator dhe që mund të përdoren nga shteti fqinj në ndjekjen e këtij procesi në çfarëdolloj forme”, thuhet në letër.

Meta thotë se nuk është në dijeni të ndonjë akti për të ndërprerë negociatat e nisura dhe për të çuar mosmarrëveshjen në Hagë.

“Megjithëse Shqipëria zyrtarisht është në proces të hapur negociatash me Republikën e Greqisë, Presidenti i Republikës nuk është informuar zyrtarisht nga Kryeministri se me çfarë akti, Qeveria ka kaluar nga procesi negociator sipas Kushtetutës dhe të drejtës ndërkombëtare, në zhvillime negociatash në nivel politik për këtë çështje, e aq më tepër të deklarohet paraprakisht se cila do të jetë rruga që do të ndiqet”, shkruan ai.

Për këtë arsye, Meta deklaron se Kryeministri dhe asnjë zyrtar tjetër nuk janë konsultuar dhe nuk janë pajisur me autorizim, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 2010-s, kur rrëzoi marrëveshjen e 2009-s të nënshkruar nga Sali Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë