Gazeta Si – Rusia do ta ketë të vështirë që të vazhdojë fushatën ushtarake, dhe Ukraina mund të aktivizohet në kundërsulm, ka thënë shefi britanik i inteligjencës, Richard Moore.
Moore ka thënë se Rusia është përballur me “humbje epike” në synimet e saj fillestare të luftës në Ukrainë, siç janë: rrëzimi i presidentit, kontrollimi i Kievit dhe prishja e unitetit brenda Perëndimit.
Moore e ka quajtur pushtimin si “aktin më të zhveshur të agresionit në Evropë, prej Luftës së Dytë Botërore”.
Ai ka thënë se fitoret që ka shënuar së fundi Rusia janë “të vogla” dhe se ky shtet rrezikon të humbë energjinë.
“Vlerësimi ynë është se rusët do ta kenë gjithnjë e më të vështirë të gjejnë fuqi punëtore dhe materiale gjatë javëve të ardhshme”, ka thënë Moore përgjatë konferencës në Kolorado.
“Atyre do t’iu duhet të bëjnë pushime dhe kjo u jep mundësinë ukrainasve që të nisin kundërsulm”.
Shefi britanik i inteligjencës ka thënë se një lloj fitoreje në fushëbetejë, do të përbënte “mesazh të rëndësishëm për gjithë Evropën se kjo është fushatë që mund të fitohet”, sidomos para dimrit, kur pritet të rritet presioni për furnizime me gaz.
“Jemi në kohë të vështirë”, ka thënë ai. Sipas tij, një arsye tjetër pse duhet vazhduar përkrahjen ndaj ukrainasve është sepse udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping “është duke vëzhguar si skifter”.
Moore ka thënë se 400 zyrtarë rusë të inteligjencës, që kanë qenë duke vepruar fshehurazi, janë dëbuar nga Evropa, duke zvogëluar përgjysmë mundësinë e Rusisë për të spiunuar në kontinent.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje