I çliruar nga kufizimet në deklarata e qëndrime që i vendoste kostumi presidencial, Ilir Meta nuk humbet kohë.
Ish-Presidenti e ka nisur ditën me një postim në rrjetet sociale, ku shfaqet me Monika Kryemadhin. Shënimi: “Një horizont i ri plot dritë e shpresë”.
Postimin e dytë e ka sërish një foto, me Ambasadorin Agim Nesho.
“I lumtur ta nisja këtë ditë të re me Ambasadorin, Agim Nesho. Kujtuam 2 Marsin dhe ramë dakord se është Koha për Veprim. Një ditë e re, një rruge e re”, shkruan ish-Presidenti.
Horizontin e veprimin e ri e nis nga selia e vjetër e LSI-së.
“Në ora 10:30, ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta do të ketë një dalje për mediat në selinë e LSI!”, njoftoi ish-zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi.
Rreth 10 minuta me vonesë, Meta doli para gazetarëve nga shkallët e LSI-së, ku tregoi para kamerave teserën e anëtarësisë.
“Erdha këtu se më kish marrë malli për këtë dokumentin e LSI-së. Jam krenar që në 2004-n themelova këtë parti për integrimin, që sot bllokohet nga Partia Socialiste. LSI ka bërë çdo gjë për të përshpejtuar negociatat”, tha ai.
Për bllokim të integrimit nuk akuzoi vetëm Edi Ramën, por edhe Lulzim Bashën, që e cilësoi shtojcë të Kryeministrit. LSI, tha Meta, ra viktimë në kurthin Rama-Basha.
“Në mënyrë të qëllimtë programuan djegien e mandateve, shkatërrimin e reformës në drejtësi për të kapur shtetin në këto përmasa. LSI-në e futën në grackë, që doli jashtë funksionit të saj duke u bërë një shtojcë e pavetëdijshme e një shtojce tërësisht të vetëdijshme të regjimit kleptokratik të Edi Ramës, që ishte PD e Lulzim Bashës”, tha ai.
Aksioni i parë i rikthimit në politikën aktive do të jetë referendumi.
“Referendumi, që i ka munguar popullit të Shqipërisë që nga 1998, referendumi do të jetë shpata e Demokleut për të gjithë kleptokratët, uzurpatorët dhe tradhtarët dhe që i ngulin thika pas shpine shtetësisë së Kosovës dhe interesave të shqiptarëve kudo që ata janë”, u shpreh ai.
Meta deklaroi se rimarrja e drejtimit të LSI-së nuk është qëllim në vetvete.
“Nuk jam këtu për të marrë drejtimin e LSI-së sepse këtë e lashë para pesë vitesh. Jam këtu për të sjellë mesazhin e popullit të 2 marsit dhe për t’u bashkuar së bashku në triumfin e mesazhit të 2 marsit”, u shpreh ish-Presidenti.
Referendumi duket se do të jetë kauza e Ilir Metës, ndërsa Berisha ka njoftuar sezon protestash nga shtatori. Por, a do të përputhen dy agjendat e opozitës?
“Do të bashkëpunojmë me çdo shqiptar të ndershëm, patriot dhe demokrat të ndershëm, pas asnjë diskutim. Nuk jam në garë as me Berishën dhe skam qenë në garë as me Lulushin. Shqipërinë e ndryshon vetëm referendumi. Është primare e primareve. Refrendumi tani është vetë Shqipëria, pasi është vënë në pyetje ekzistenca dhe e ardhmja e vendit”, tha Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje