Kur themeloi Lëvizjen Socialiste për Integrim në 2004-n, Ilir Meta e paraqiti atë si forcë të majtë, duke e anëtarësuar edhe në internacionalen socialiste.
Por, Partinë e Lirisë që doli nga Konventa e së dielës e LSI-së Ilir Meta nuk e kategorizon as të majtë dhe as të djathtë. Arsyeja, sipas tij, momenti kërkon që të ngrihet përtej së majtës dhe të djathtës në betejën kundër atij që e quajti regjim kleptokratik.
“Partia e Lirisë, a është e majtë apo e djathtë? Liria është e majtë, apo e djathtë?! Kushtetuta është e majtë apo e djathtë?! Partia e Lirisë është gjithpërfshirëse. Jemi në një moment ku nuk kemi të bëjmë me të majtë e të djathtë. Pse PS sot është e majtë? PS a është patriotike sot, apo është parti e Dushan Mogushës që ka frikë të përmendi masakrën e Srebrenicës, që ka frikë të përmendë genocidin në Kosovë, që lejon të fusë thika pas shpine Kosovës”, tha Meta.
Ish-Presidenti kërkoi nisjen menjëherë nga puna, ndërsa akuzoi Qeverinë se ka kaluar të gjithë barrën e krizave, si të pandemisë, ashtu edhe atë të krizës së çmimeve.
“Qeveria nuk ka mbështetur qytetarët, si gjatë pandemisë, ashtu edhe në krizën e çmimeve. Barra e krizave iu kalua qytetarëve. Doganat drejtohen nga kontrabandistë, me punësime korruptive dhe nepotizëm. Çdo sektor i qeverisjes është kthyer në burim abuzimi. Inceneratorët marrin ende para me firmat e pesë viteve më parë, apo me firma të personave të vdekur”, tha ai.
Ramën e cilësoi ‘tradhtar’ dhe si shembull solli bisedimet për çështjen e deti me Greqinë, për të cilat tha se do të flasë në një moment tjetër. Për Sali Berishën, Meta tha se statusi i tij si ‘non grata’ nga SHBA dhe Britania nuk e pengon që të bashkëpunojë.
“Mos më pyesni më për bashkëpunimin me Berishës për çështjen ‘non grata’. Unë respektoj partinë politike dhe anëtarët e zgjedhësit që i kanë votuar udhëheqësit e këtyre partive. Sali Berisha nuk ka shkelur asnjë ligj të SHBA, ashtu siç ju e dini që gruaja e Bilalit shkeli të gjitha ligjet e SHBA dhe ndërsa Bilali hyri në burg, ky e mbylli çështjen me një marrëveshje”, tha Meta.
Në këtë dalje para gazetarëve, Meta tha se marrëveshjet Rama-Basha shkojnë shumë kohë para 2017-s dhe si pjesë të kësaj marrëveshje konsideroi edhe bojkotin e reformës territoriale të 2014-s nga Partia Demokratike.
“Harta territoriale u miratua me konsensus të plotë mes Ramës e Bashës. I kërkova Bashës që të përfshihej duke i dhënë garancinë se nuk do të kalonte asgjë pa konsensus. Basha kurrë nuk solli një propozim. Rama i tha që ma lër mua kështu hartën dhe unë të mbështes atje ku do të jenë kandidatët e LSI-së, si në Vorë, Lezhë, apo Pogradec”, deklaroi ai.
Sa i takon Partisë së Lirisë bojkoti do të jetë një tabu.
“Partia e Lirisë nuk do të bojkotojë asgjë në këtë vend. As seanca parlamentare, aq më tepër zgjedhje. Qeveria do të ikë me zgjedhje dhe protesta. Në demokraci kush ikën nga zgjedhjet është dezertor, kapitullues, i blerë siç ishte ai që shiste zgjedhjet e digjte mandatet”, deklaroi ish-Presidenti.
Por, si do ta largojë Edi Ramën?
“Qeveria do të ikë me zgjedhje dhe protesta. Në demokraci kush ikën nga zgjedhjet është dezertor, kapitullues, i blerë siç ishte ai që shiste zgjedhjet e digjte mandatet. Do të ndezë flakën e shpresës dhe të lirisë dhe demokracisë. Do të shpëtojë Shqipërinë nga kjo rrokullisje e turpshme”, shtoi Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje