Politike

‘Politikani I.M., bashkëpunëtor i Sigurimit”, Nikolla u dorëzon dosjen kryetarëve të grupeve parlamentare

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka mbledhur krerët e grupeve parlamentare për të diskutuar mbi kërkesën e Autoritetit të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit për ndryshimin e ligjit për hapjen e tyre.

Ajo është takuar fillimisht me kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ndërsa takime do të ketë edhe me Enkelejd Alibeajn dhe Fatmir Mediun.

Në këto takime, kryetarja e Kuvendit do t’u dorëzojë dosjen e plotë të Autoritetit të Dosjeve për politikanin e profilit të lartë me inicialet I.M., që sipas mediave është ish-Presidenti Ilir Meta.

Autoriteti i Dosjeve deklaroi të martën se “në kuadër të punës së përditshme me përpunimin e materialeve të ish-Sigurimit të Shtetit, së fundmi Autoriteti është ndeshur me informacione dhe të dhëna mbi një personazh me profil të lartë politik. Institucionit iu kërkua nëpërmjet postës elektronike që të verifikohej figura e shtetasit I. M”, në dosje të klasifikuara të ish-Sigurimit të Shtetit”.

Dosja në fjalë e Autoritetit i është dorëzuar Kuvendit ditën e martë. Në të, Autoriteti ngre shqetësime se ligji nuk e lejon që të hapë dosjet e zyrtarëve dhe politikanëve të lartë që kanë marrë certifikata pastërtie në bazë të një ligjit të vitit 1995.

Autoriteti thotë se mes këtyre personave që kanë marrë këto certifikata ka emra që mund të kenë falsifikuar të faktet dhe për këtë arsye i kërkon Kuvendit që të ndryshojë ligjin aktual.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë