Më 28 prill 2017-të, një ditë para se Ilir Meta të votohej si Presidenti i shtatë i vendit, Autoriteti i Dosjeve ka miratuar vendimin për ‘pastërtinë e figurës së tij’.
Autoriteti thotë se vendimi është marrë bazuar në certifikatën e pastërtisë së figurës që një sërë politikanësh dhe zyrtarësh kanë marrë nga komisionet ‘Mezini’ e ‘Bezhani pas vitit 1995 e në vijim.
Këtë certifikatë ka dorëzuar edhe te Autoriteti i Dosjeve edhe Ilir Meta. Por, Autoriteti thotë se certifikata është dhënë e pabazuar në fakte dhe se emri i Metës del në dosjet e Sigurimit të Shtetit dhe nëse nuk do të ndalohej me ligj, dosja për të do të ishte ndryshe.
“Në vijim të kërkesave dhe propozimeve tona të mëparshme, por sidomos duke marrë nxitje nga denoncimi më i fundit i ardhur në institucion mbi pastërtinë e figurës së një prej personaliteteve më të larta të shtetit, siç është ish-Presidenti Ilir Meta, i pajisur me certifikatë të pastërtisë së figurës nga komisioni “Mezini dhe Bezhani”, e konfirmuar nga ana jonë me vendimin e Autoritetit nr.17 datë 28 prill 2017, rezulton se në fakt figuron në dokumentet e krijuara nga strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit. Nëse institucioni do të ishte në kushtet e riverifikimit të pastërtisë së gigurës të shtetasit Ilir Meta, gjë të cilën nuk na e lejon neni 29, pika 4 e ligjit, rezultatet e kërkimit do të ndryshonin”, thuhet në letrën që Autoriteti i ka dërguar të martën Kuvendit të Shqipërisë.
Në të njëjtën letër, Autoriteti i kërkon Kuvendit që të shfuqizojë pikën 4 të nenit 29 të ligjit me qëllim që situata të tilla të mos pëprsëriten në të ardhmen.
Përveç kësaj, Autoriteti kërkon që të ndryshohen një sërë ligjesh të tjera, përfshirë këtu edhe Kodin Zgjedhor, duke vendosur afate dhe përcaktime të qartë që për çdo kandidat për t’u zgjedhur në pushtetin vendor e qëndror të zbatohet detyrimi për verifikimin e pastërtisë së figurës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje