Politike

Kuvendi largon Ahmetajn nga Qeveria pa debat, PD: Antikushtetuese

Kuvendi mblidhet këtë të enjte në një seancë të jashtëzakonshme për të miratuar ndryshimet që largojnë përfundimisht nga Qeveria Arben Ahmetajn.

Sipas rendit të ditës të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit seanca është parashikuar pa debat.

Partia Demokratike e ka cilësuar këtë si antikushtetuese dhe kundër rregullores së Kuvendit dhe kërkon që seanca të mbahet me debat. Sipas opozitës, vendimi i socialistëve synon që të shmangë dhe fshehë nga shqiptarët aferat korruptive të Qeverisë.

“Rama kërkon të fshehë në çdo mënyrë dështimin e qeverisë së tij të zhytur kokë e këmbë në korrupsion. Nuk janë vetëm inceneratorët, ferri ku do digjet ai vetë dhe qeveria e tij. Janë dhe rrugët me kosto të shumëfishuar korruptive. Janë dhe investimet gjoja strategjike të familjarëve të ministrave të tij, që kanë rrëmbyer pasuritë publike dhe private të shqiptarëve. Është dhe Butrinti që po i dorëzohet një shqiptarofobi dhe interesave të pista ekonomike”, deklaroi nënkryetari i PD, Luçiano Boçi.

Për këto arsye, sipas PD, Rama kërkon t’i shmanget debatit parlamentar denoncues, për rrokadën e korrupsionit që do bëjë, sa për t’i hedhur hi syve shqiptarëve.

“Partia Demokratike kërkon zbatimin e rregullores, ku saktësisht ndryshimi i Keshillit të Ministrave dhe i programit qeverisës, siç e ka shprehur vetë Rama, shoqërohet me debat parlamentar. Çdo refuzim nga ana e Ramës, nëpërmjet znj. Nikolla, është shkelje e Kushtetutës dhe e rregullores së Parlamentit. Njëherazi, dëshmon panikun që ka mbërthyer Ramën nga e vërteta e korrupsionit marramendës që ka përfshirë atë dhe qeverisjen e tij”, vijon ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë