Në fjalën e mbajtur në takimin e organizuar nga Ambasada e SHBA në Tiranë me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, Kryeministri Edi Rama theksoi se ‘hije të së shkuarës vijojnë të kërcënojnë këto marrëdhënie’.
“Do ta durojmë me buzëqeshje dhe kënaqësi protagonizmin e ambasadorëve amerikanë në Shqipëri, sepse SHBA në Shqipëri janë në shtëpinë e tyre, sepse kështu e kanë vendosur shqiptarët dhe sepse kështu e ka dashur gjithë kjo rrugë, ku pa zërin e SHBA, Shqipëria mbase nuk do të ekzistonte dhe pa SHBA, Shqipëria sot nuk do të ishte as anëtare e NATO-s dhe as anëtare e Këshillit të Sigurimit.
Nuk do të ishte në gjendje të përballej me të keqen dhe të shkuarën, që vazhdon të jetë pjesë e përpjekjes sonë të përditshme, rishfaqet para nesh në forma më të ndryshme, që nga rezistenca ndaj ndryshimit dhe rezistenca ndaj krijimit të kushteve që në këtë vend të ketë drejtësi për të gjithë, deri tek hijet e të shkuarës më të errët komuniste që mendojmë se i ka tretur e kaluara, por prap papritur e pakujtuar na dalin përpara”, deklaroi Rama.
Kryeministri vlerësoi gjithashtu se në Shqipëri nuk ka forcë antiamerikane e antieuropiane.
“Edhe kur ka mllef, edhe kur ka ndjenjë hakmarrjeje, jo ndaj SHBA, por ndaj politikës së SHBA, siç është mllefi ndaj reformës në drejtësi shfaqet në formën e garës, në formën komike madje që ne e duam SHBA më shumë se ambasadorja.
Nuk ka këtu një burrë që t’i thotë SHBA atë që realisht mendon kur i dridhen gjunjtë nga reforma në drejtësi. Të gjithë jemi për SHBA, disa janë për këto marrëdhënie me këto, disa të tjera duan ato të tjerat të SHBA dhe kanë probleme me përfaqësuesit e tyre sot”, vijoi ai.
Sipas Ramës, në asnjë vend tjetër të botës nuk mblidhet e gjitha qeveria dhe paria politike e atij vendi me Ambasadorin e SHBA për të festuar 100-vjetorin e marrëdhënieve.
“Nuk mendoj se në ndonjë vend tjetër mblidhet e gjithë qeveria dhe gjithë paria politike me ambasadorin për të kremtuar 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Por kjo nuk është qesharake, sepse në mes është një histori e pangjashme. Si sot 100 vite më parë, lindi një dashuri pa kushte e shqiptarëve me SHBA dhe për këtë punoi 50 vite Enver Hoxha për t’i kthyer shqiptarët në dashnorët më të paepur të SHBA. Të gjitha ato që bëri regjimi për t’i larguar shqiptarët nga SHBA, u përkthyen në efekt të kundërt”, tha Rama.
Shqipëria, vijoi ai, vazhdon përpjekjen për t’u shkëputur nga e shkuara dhe për t’u mbrojtur nga xhagajdurët e tij.
Në fund, kryeministri deklaroi se Shqipëria është baza politike dhe epiqendra e të gjitha veprimtarisë së SHBA për rajonin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje