Në fjalimin e mbajtur në koncertin festiv të organizuar me rastin e çeljes së negociatave, Kryeministri Edi Rama tha se gjatë qeverisjes së tij vendi ka bërë përparimin më të madh në drejtim të integrimit, si dhe ka rifituar dinjitetin në arenën ndërkombëtare.
“Shqipëria në krye të OSBE, Shqipëria në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria ne tryezën e negociatave për anëtarësim, Shqipëria bazë ajrorë dhe së shpejti edhe bazë detare e NATO-s, Shqipëria në krye të procesit të transformimit të rajonit nga një zonë lufte e konfliktesh, në një zone paqeje e zhvillimi ekonomik, të gjitha këto zhvillime të këtyre viteve më të fundit, që jo prindërit e gjyshërit tanë, po as shumëkush prej nesh as që i imagjinonte dot deri para disa vitesh, kur Shqipëria kishte humbur busullën dhe çdo dinjitet ndërkombëtar!”, tha ai.
Merita u dha të gjithëve pas 1991-it, por shmangu emra konkretë.
“Po sigurisht, në rrugën për të ardhur deri këtu, përveç rolit tonë vendimtar në këto vite, ka pasur edhe plot kontributorë të tjerë, duke nisur nga ata që dolën në rrugë me thirrjen, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”, deri tek çdokush që e vendosi një gur në këtë mur që kemi ngritur gjer më sot me mund e me durim të madh e mbi të gjitha me vizion të qartë për Shqipërinë. Por, lartësia ku e kemi ngjitur sot Shqipërinë, na tregon edhe se sa poshtë ishim kur u nisëm, po edhe se sa rrugë e përpjekje ka akoma për të arritur majën e ëndërruar për 500 vjet me radhë”, u shpreh ai.
Negociatat i cilësoi si fillimin e fundit dhe parashikoi një proces të vështirë.
“Nisja zyrtare e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian është vetëm fundi i fillimit të një rruge tejet sfiduese, por të duhur, të lodhshme, por të bukur, të gjatë, por aspak të vetmuar. Nga vendi më i vetmuar, më i prapambetur, me i varfër i kontinentit, ne sot, jemi jo ku e ku më të zhvilluar e më pak të varfër se sa vetëm tre dekada më parë, po jemi më shumë se asnjëherë më parë në këto tre dekada, të mbrojtur nga çdo rrezik, në mes të dy aleatëve tanë të mëdhenj strategjike, SHBA e BE, dhe të respektuar nga çdokush në arenën ndërkombëtare, si një vend i vogël, por me karakter dhe dinjitet”, shtoi Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje