Ne rrjet

Emergjencë përmbytjesh në Kentaki, ujë ngjitet deri në çatitë e shtëpive. Mes viktimave 6 fëmijë

Gazeta Si – Numri i të vdekurve për momentin është 25, mes të cilëve 6 fëmijë. Shtëpi, ferma, rrugë të pushtuara nga përmbytjet e furishme.

Pjesa më e madhe e Kentakit ka qenë në emergjencë të plotë që nga nata e së mërkurës 27 deri të enjten 28 korrik.

Guvernatori i shtetit, Andy Beshear, paralajmëron: “Për fat të keq, bilanci i humbjeve është i përkohshëm. Në këtë moment po luftojmë edhe për të arritur në vendet më të prekura. Mes viktimave ka edhe fëmijë. Kemi humbur gjurmët e familjeve të tëra”.

Presidenti Joe Biden shpalli një “gjendje të fatkeqësisë natyrore” në 13 qarqe të Kentakit, duke siguruar këstin e parë të fondeve federale për autoritetet lokale dhe organizatat joqeveritare të përfshira në përpjekjet e ndihmës dhe ndërtimin e strehimoreve. Janë mobilizuar zjarrfikësit, ushtarët e Gardës Kombëtare, njësitë e mbrojtjes civile.

Shumë njerëz u strehuan në çatitë e shtëpive. Deri më tani, të paktën 50 njerëz janë shpëtuar, duke përdorur helikopterë dhe të paktën 300 janë nxjerrë nga banesat me gomone dhe varka.

Imazhet dhe dëshmitë janë mbresëlënëse. Popullsia u befasua nga reshjet e pabesueshme.

Autostradat në Kentakin lindor janë kthyer në përrenj, duke nxjerrë jashtë kontrollit makinat. Në disa qytete, të paktën 23,000 përdorues mbetën pa energji elektrike.

Gazeta “New York Times” tregon historinë e Jannie Adams, 50 vjeçe, nga Whitesburg. Të enjten, ajo u ngrit në mëngjes për të shkuar në punë.

Ajo hapi derën dhe e gjeti veten përballë oborrit të përmbytur. Kjo kishte ndodhur edhe më parë dhe kështu gjithsesi ajo u drejtua drejt makinës, ndërsa djali i saj 18-vjeçar, Maddox, e shikonte nga dritarja.

Në një moment, uji u ngrit papritur dhe shumë shpejt. Gruaja ishte e dërrmuar. Maddox vrapoi, u kap pas një peme dhe me shumë vështirësi arriti të kapë nënën e tij, duke gjetur strehim në argjinaturën e një hekurudhe.

Të dy bënë thirrje për ndihmë. Përgjigja: “Ngjitu në çati”. Në fund kanë arritur të shpëtojnë falë mbërritjes së fqinjëve me kanoe.

Moti i keq shkaktoi gjithashtu dëme dhe përmbytje në St. Louis, Missouri, Tenesi dhe Virxhinia Perëndimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë