Protesta e thirrur nga Fronti i Shpëtimit Kombëtar, që PD thotë se e ka ngritur bashkë me shoqërinë civile nisi pak para orës 19:00 para Ministrisë së Brendshme.
Dhjetra protestues, mes të cilëve aktivistë të shoqërisë civile dhe drejtues të Partisë Demokratike u mblodhën para këtij institucionit me parrulla ku veç dorëheqjes së ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi kërkohej edhe dorëheqja e Edi Ramës.
Protesta me moton “Nuk e vrau varka, e vrau shteti” u thirr pas tragjedisë së Himarës, ku një 7-vjeçare humbi jetën pasi u përplas nga skafi i drejtuar nga Arjan Tase, komisar policie me detyrë në Elbasan i shkarkuar tashmë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano.












Protesta mbështet edhe nga Partia e Lirisë, ndërsa Ilir Meta dhe Sali Berisha nga PD kanë deklaruar se ajo është vrasje shtetërore, duke e cuar zinxhirin e përgjegjësise deri te Kryeministri Edi Rama.
Ndërkohë, pak para nisjes së protestës ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi është larguar nga godina e Ministrisë, duke deklaruar se nuk dëshironte që të keqkuptohej qëndrimi i tij brenda si provokim ndaj protestuesve.





Pas Ministrisë së Brendshme, protesta u zhvendos para Kryeministrisë dhe Presidencë me thirrjet “Presidenti kukull”.
Protesta zgjati rreth 100 minuta dhe u mbyll pa asnjë incident mes pjesëmarrësve dhe forcave të policisë.
Protestuesit e mbyllën tubimin me ultimatumin e dhënë ndaj Kryeministrit Edi Rama, që kërkuan largimin e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi dhe të ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro.
Ata i lanë kohë Kryeministrit Edi Rama që të largojë dy ministrat deri ditën e hënë, në të kundërt njoftuan se do të dalin sërish në shesh.
Protestës iu bashkuan edhe Sali Berisha dhe Ilir Meta. Që të dy ata thanë se ishin aty si qytetarë, ndërsa në mesazhet që përcollën kërkuan largimin e Edi Ramës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje