Komunitet

Jo vetëm mjekë, Shqipëria s’ka as veterinerë

Të dhënat e publikuara nga INSTAT flasin për një ulje jo edhe aq të papërfillshme të numrit të bagëtive në Shqipëri. Problemi është se Shqipëria nuk po humbet vetëm lopët, delet e bagëtitë e tjera, por edhe veterinerët.

Një zyrtar i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë foli në kushte anonimati për Gazetën Si. Ai bëri një rezyme të zymtë të situatës dhe problematika e mungesës së veterinerëve nuk lidhet vetëm me anën financiare.

“Problemi më i madh është se nuk ofrohet mundësi karriere, nuk ka e nuk zbatohet një strategji e njësuar në të gjithë territorin. Diku zbatohet standarde europiane, diku tjetër ato tradicionale. Nuk ka një mbështetje për transportin dhe mungojnë trajnimet e vazhdueshme nga ana e shtetit shqiptar. Ato pak trajnime që kryhen bëhen kryesisht nga partnerë ndërkombëtarë”, thotë ai.

Zyrtari shprehet se është problematike në të gjithë vendin, por më e theksuar ajo është në rajonet e veriut, ku ka një përqëndrim relativisht të madh të bagëtive, kryesisht gjedhë që kanë nevojë për kontrolle periodike, por edhe në Malësitë e Vlorës.

“Numri i studentëve që diplomohen çdo vit për veterinari nuk është i mjaftueshëm për të mbuluar nevojat, por është i kënaqshëm. Problematika është se shumica e të rinjve të diplomuar orientojnë studimet e tyre drejt specializimeve për kafshët shtëpiake për argëtim e shoqërim (qentë, macet), sepse është një treg që po zgjerohet vazhdimisht dhe për më tepër paguhet më mirë”, deklaron zyrtari.

Gjendjen alarmante të mungesës së veterinerëve që të kontrollojnë bagëtitë dhe nënproduktet e tyre e konfirmon tërthorazi edhe Ministria e Bujqësisë.

“Jemi në proces rekrutimi për të zgjeruar trupën tonë të veterinerëve zyrtarë të shërbimit duke plotësuar strukturën e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve e duke e çuar numrin e veterinerëve zyrtarë të shërbimit dhe veterinerëve të kontrollit në 453 në të gjithë territorin”, shkruan ministrja Frida Krifca në rrjetet sociale, duke shpërndarë një thirrje për punësim të Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve.

Sipas kësaj thirrjeje kërkohen 15 veterinerë në Shkodër, 12 në Vlorë dhe 11 në Elbasan, ndërsa burimet e Gazetës Si pohojnë se nevojat janë për shumë më shumë dhe për një shpërndarje më të drejtë të tyre.

“Shumica duan të qëndrojnë pranë qyteteve, ose të punojnë në zona ku kanë akses të kollajtë me zonat urbane. Përveç kësaj në Shqipëri mungon ende kultura e fermave të mëdha. Në pjesën më të madhe të fshatrave çdo familje ka edhe lopë, edhe dele, edhe pula. Pra, ka nevojë për kontrolle derë më derë”, thonë burimet e Gazetës Si.

Kjo shpërndarje e fragmentarizim e bën thuajse të pamundur misionin parandalues të veterinerëve kundër përhapjes së sëmundjeve.

“E zëmë bie gripi i shpendëve në kotecin e një familjeje në një fshat ku të gjithë kanë pula, siç ka plot raste të tilla. Është praktikisht e pamundur që veterinerët të identifikojnë dhe izolojnë vatrën në kohë, aq më tepër që vetë fshatarët nuk i denoncojnë rastet pranë tyre, por thjesht i groposin vetë, apo më keq akoma i hedhin pulat e ngordhura si ushqim për qentë”, shpjegon zyrtari i ISUV.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë