Bota

Kina zgjeron stërvitjet ushtarake rreth ishullit, Tajvani: Shkelje e ligjit ndërkombëtar

Gazeta Si – Kina ka vendosur të zgjasë më tej stërvitjet ushtarake rreth ishullit të Tajvanit, që po zhvillohen që nga e enjtja, 4 gusht, në përgjigje të vizitës në Taipei të Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi.

Kjo u bë e ditur nga Komanda e Krahut Lindor të Ushtrisë Çlirimtare Popullore Kineze, pa përcaktuar megjithatë një datë për përfundimin e manovrave.

Udhëheqësit ushtarakë të Republikës Popullore kufizohen në specifikimin se qëllimi i stërvitjeve është përgatitja e operacioneve të “mbrojtjes së përbashkët” dhe “bllokadës së përbashkët” në ishull.

Njoftimi i Pekinit vjen vetëm disa orë pas komentit të parë të presidentit amerikan Joe Biden për krizën në ngushticë.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se ai “nuk ishte i shqetësuar” nga rritja e presionit ushtarak kinez ndaj Tajvanit dhe u shpreh se ishte i bindur që Kina nuk do të shkonte më tej.

Ndërkohë, Forcat e Armatosura të Tajvanit kanë kryer gjithashtu një seri stërvitjesh me zjarr të vërtetë.

Një zëdhënës i Korpusit të Tetë të Ushtrisë Tajvaneze deklaroi se stërvitja ishte planifikuar tashmë dhe nuk përbën një përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj manovrave në Pekin.

Stërvitja u zhvillua në qarkun jugor të Tajvanit të Pingtung. Taipei po planifikon stërvitje të mëtejshme të enjten më 11 gusht, duke përfshirë qindra ushtarë dhe rreth 40 rezervistë.

Forcat e armatosura do të zhvillojnë gjithashtu stërvitje vjetore më 5 shtator, gjithashtu në Pingtung.

Të hënën, ministri i Jashtëm i Tajvanit, Joseph Wu, dënoi zgjatjen e parë të stërvitjeve ushtarake kineze, e cila duhej të përfundonte të dielën, më 7 gusht, duke thënë se Pekini po “hap qëllimisht një krizë” dhe po “vazhdon të provokojë”.

Sipas ministrit, Kina i përdori stërvitjet për t’u përgatitur për pushtimin e Tajvanit dhe zemërimi për vizitën e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi është vetëm një justifikim.

Wu akuzoi Kinën për “shkelje të rënda të ligjit ndërkombëtar”. Pekini “po kryen stërvitje ushtarake në shkallë të gjerë dhe lëshime raketash, si dhe sulme kibernetike, dezinformim dhe detyrim ekonomik, në një përpjekje për të minuar moralin në Tajvan”.

Shefi i diplomacisë tajvaneze beson se aktivitetet ushtarake kineze rreth ishullit nuk mund të ishin organizuar aq shpejt sa do të supozonte një reagim ndaj vizitës së Pelosit.

Wu, tha se ishte i bindur që Kina “qartësisht po përpiqet të shkëpusë vendet e tjera që të ndërhyjnë në përpjekjen e saj për të pushtuar Tajvanin” dhe gjithashtu tregoi se kishte synime shumë më të gjera gjeostrategjike, domethënë, “të ndryshonte status quo-në në ngushticën e Tajvanit dhe në të gjithë rajonin”.

Megjithatë, Kina u mbrojt me zëdhënësin e ministrisë së saj të Jashtme, Wang Wenbin, i cili në një konferencë për shtyp theksoi se Pekini po kryen stërvitje “normale” ushtarake në një mënyrë “të hapur, transparente dhe profesionale”.

Kina, shtoi Wang, gjithashtu njoftoi fillimin e stërvitjeve në kohën e duhur, në përputhje me ligjin kombëtar dhe ligjin ndërkombëtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë