Gazeta Si – Mandati që lejoi agjentët e FBI-së të kontrollonin resortin në pronësi të ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, u bë publik të premten nga një gjykatës federal në Florida.
Kjo erdhi pasi Departamenti amerikan i Drejtësisë bëri kërkesën e pazakontë që të bëhej publik një urdhër kontrolli, pjesë e një hetimi penal.
Agjentët federalë amerikanë gjetën dosje të fshehta dhe dokumente të tjera shumë të klasifikuara nga shtëpia e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, në Florida, sipas dokumenteve të gjykatës të publikuara të premten.
Sipas dokumenteve, Trump po hetohet për shkelje të mundshme të Aktit të spiunazhit. Ndërkohë, në llogarinë e tij në rrjetet sociale, Trump shkruan që dokumentet ishin të deklasifikuara: “Numri një, gjithçka ishte e deklasifikuar. Numri dy, ata nuk kishin nevojë të ‘kapnin’ asgjë. Mund ta kishin marrë sa herë të donin pa u përfshirë në politikë dhe pa u futur në Mar-a-Lago. Dokumentet ishin në një vend të sigurt, me një dry shtesë të vendosur pasi ma kërkuan”, shtoi ai.
FBI-ja bastisi pronën e Trumpit të hënën, por deri më tani nuk ka dhënë detaje se çfarë po kërkonin apo çfarë u gjet. Ligji federal në SHBA ndalon keqpërdorimin e materialeve të klasifikuar dhe përvetësimin apo mbajtjen e paautorizuar të dokumenteve ose materialeve të klasifikuara.
Dokumentet e gjykatës zbuluan se agjentët e FBI-së gjetën 11 dosje dokumentesh të klasifikuara, duke përfshirë disa të shënuara si ‘top sekret’. Një dosje ishte e shënuar si “top sekret/SCI” – niveli më i lartë i klasifikimit. Përmbajtja e atyre dokumenteve nuk u bë e ditur.
Agjentët sekuestruan rreth 20 kuti sendesh, si dhe sete fotografish, informacione për presidentin e Francës, dhënien e faljes ekzekutive për Roger Stone dhe një shënim të shkruar me dorë.
Ndërsa ishte në pushtet, Trump rriti dënimet për shkeljen e këtyre ligjeve, duke i bërë shkeljet e dënueshme deri në pesë vjet burg.
Të enjten, prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Merrick Garland, tha se Departamenti i Drejtësisë i kishte kërkuar një gjykate të Floridës që të bënte publike dokumentet, duke përmendur “interesin e konsiderueshëm publik mbi këtë çështje”.
Trump pohoi në një postim në faqen e tij të internetit “Truth Social” të premten se asnjë nga dokumentet e sekuestruara nuk ishte i klasifikuar.
“E para, ishin të gjitha të deklasifikuara. E dyta, ata nuk kishin nevojë të “sekuestronin” asgjë. Ata mund ta merrnin kur të donin pa bërë lojëra politike dhe pa u futur në Mar-a-Lago. Ishin të sigurta në magazinë, me një bravë shtesë sipas kërkesës së tyre”, shkroi Trump.
Që nga kontrolli i së hënës, prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Garland dhe departamenti i tij janë përballur me një reagim të ashpër nga Partia Republikane, si dhe nga Trump dhe mbështetësit e tij.
Pas bastisjes, një person i armatosur humbi jetën në një shkëmbim zjarri pasi u përpoq të futej brenda zyrës së FBI-së në Sinsinati. Ngjarja po hetohet si një akt i brendshëm ekstremizmi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje