Politike

Këllici: Pse Rama kundërshtoi veten duke i dhënë Stela Gugalles 22 mln euro për një propozim të pakërkuar për Incineratorin në Elbasan

Duke iu referuar një vendimi të qershorit të vitit 2016, “Për Grumbullimin e Diferencuar të Mbetjeve në Burim”, firmosur nga kryeministri Edi Rama, deputeti i PD-së, Belind Këllici ngriti disa pyetje.

Vendimi i Këshillit të Ministrave (i publikuar nga deputeti demokrat) detyronte të gjitha bashkitë të merrnin masa brenda datës 31.12.2016 për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve.

“A është në fuqi ende apo u anulua kjo VKM?

Çfarë interesi apo halli i madh ndodhi që u la në harresë dhe u injorua kjo VKM që ishte në përputhje me strategjinë dhe planin kombëtar të mbetjeve të financuara nga BE?

Vetëm 6 muaj pas asaj VKM-je, duket se Edi Ramën një hall i madh, apo interes shumë më i madh e shtyu të ndryshonte drejtim dhe më 17 Dhjetor 2014 nxori VKM për t’i dhënë 22 milionë euro Stela Gugalles për një propozim të pakërkuar dhe të paçertifikuar për Incineratorin në Elbasan”, tha Këllici .

Ai ngriti pyetje edhe për kontratën për Inceneratorin e Elbasanit, duke vijuar më tej:

“Kush i ka hartuar kontratat për inceneratorët? Kanë thagma të paimagjinueshme. A i ka hartuar Drejtoria Juridike e Këshillit të Ministrave siç e detyron ligji apo jo? A janë dhënë këto kontrata të gatshme? A ka përgjegjësi ligjorë në këtë mes apo jo?

Sa eksperiencë në incenerim dhe në investim kishte kompania e posakrijuar e Stela Gugalles, të cilës i’u dha kontrata 22 milion euro për inceneratorin e Elbasanit?

Po Klodian Zoto, përfituesi real i parave publike dhe sipërmarrësi i punimeve të Inceneratorit të Elbasanit, personi i cili në fakt “ndërtoi” një karakatinë hekurishtesh në Elbasan e cila nuk ka ende asnjë funksion dhe sot që flasim, që jemi ende në muajin gusht të vitit 2022 përveç tenderave të ujësjellsave në Bashkitë Rilindase të Fierit dhe Korçës, çfarë experience të mëparshme kishte ky sipërmarrës?

Çfarë pune të ngjashme kishte bërë më pare me sukses Klodian Zoto, mbi bazën e së cilës i tërë shteti ynë u ngrit në këmbë me 14 vendime dhe brenda ditës në një natë dhjetori i kaloi këtij sipërmarrësi plot 22 milionë euro? Ja ku e keni dhe aktin e kolaudimit për Inceneratorin e Elbasanit në të cilin Klodian Zoto shprehet fare qartë se është sipërmarrësi i punimeve dhe rrjedhimisht përfituesi real i parave publike dhe i 22 milion euro të Inceneratorit të Elbasanit”, tha deputeti i PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë