Partia Demokratike thotë se ka kryer një anketë me 600 të rinj të moshës 15 deri në 29 vjeç për cilësinë e arsimit dhe sipas rezultatit, PD thotë se të rinjtë e ngelin në klasë sistemin. Një vëzhgim i kryer nga aktivistë rinorë, me 600 të rinj të moshave 15-29 vjeç, e ngel në klasë sistemin arsimor shqiptar.
Sipas anketës së PD, 77 përqind e të rinjve e konsiderojnë sistemin arsimor si jo cilësor, ndërsa 80 përqind i konsiderojnë shkollat si mjedise pak ose aspak të sigurta.
74 përqind thonë se problematikat e tyre nuk merren parasysh nga institucionet arsimore.
“Çka është më dramatike lidhet me përqindjen e atyre që e konsiderojnë të ardhmen e tyre larg Shqipërisë dhe nuk duan të kthehen më”, deklaroi Megi Balliu, Sekretarja për Organizatat Partnere në PD.
Të rinjtë janë pyetur edhe për rritjen e çmimeve dhe PD thotë se 97 përqind e tyre vlerësojnë se kjo ka ndikuar në mënyrë të konsiderueshme jetën e tyre.
Gjithashtu, të rinjtë e anketuar nga PD shprehim mosbesim edhe të shoqëria civile.
“Nuk është vetëm qeveria që goditet, por edhe organizatat e shoqërisë civile, të cilat shihen si të pabesueshme. OJF-të sipas të rinjve punojnë për interesat e tyre, dhe jo për të mbështetur rininë. Vetëm 7 përqind e të anketuarve besojnë te shoqëria civile. Po kaq mosbesues janë edhe ndaj partive politike të cilat sipas tyre nuk kanë vullnet për zgjidhjen e problematikave të të rinjve. Ky mosbesim te shoqëria civile dhe politika reflektohet edhe në qasjen e të rinjve ndaj procesit zgjedhor”, shtoi Balliu.
Të rinjtë e anketuar nga opozita deklarojnë gjithashtu mospjesëmarrje në numra të lartë në proceset zgjedhore.
“40 përqind thonë se nuk do të votojnë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm ndërsa 29 përqind se nuk janë të vendosur nëse do të shkojnë. Anketimi është një shenjë tjetër e arsyeve të shpopullimit të vendit, një alarm që Partia Demokratike e ka ngritur vazhdimisht. Sa i takon mosbesimit te politika Partia Demokratike e identifikon si të drejtë qëndrimin e të rinjve shqiptarë dhe kërkon ndjesë për pjesën e saj në këtë mosbesim.
Por ne ju bëjmë me dije të rinjve faktin se, ditët e opozitës së kapur, në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile të kapura me oligarkët dhe sidomos qeverinë, kanë marrë fund. Të rinjtë shqiptarë duhet të shohin te ne një partner të së sotmes dhe së ardhmes. Një gjë është e sigurt: pa të rinjtë dhe të rejat Shqipëria nuk ka të ardhme. Është detyra e shenjtë e Partisë Demokratike t’jua kthejë vendin të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë”, mbyll deklaratën Megi Balliu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje