Presidenti Bajram Begaj nisi vizitën e parë zyrtare jashtë vendit në Kosovë. Ai u prit në një ceremoni zyrtare shtetërore nga Presidentja Vjosa Osmani rreth orës 10:00.
Begaj do të qëndrojë në Kosovë dy ditë, ku e hëna ka në agjendë takime në Prishtinë. Takimet nisen me Presidentet Osmani.
Në deklaratën që dha për mediat në përfundim të takimit, Presidenti Begaj përsëriti qëndrimin se Shqipëria do të vazhdojë që të jetë në krah të Kosovës duke mbështetur përpjekjet e saj për njohje dhe anëtarësim në organizmat ndërkombëtare. Aplikimi i radhës i Kosovës është anëtarësimi në Këshillin e Europës.
Presidenti i Shqipërisë e cilësoi aplikimin në momentin e duhur, ndërsa ceku edhe raportin e Dick Marty-t, ku Kuvendi i Shqipërisë ka dorëzuar një rezolutë në KiE, duke kërkuar rrëzimin e këtij raporti si të paprovuar.
“UÇK përbën një faqe të ndritur të historisë sonë të përbashkët, që bën krenar çdo shqiptar. Asnjë raport i trilluar që tenton të njollosë gjakun dhe vetëflijimin e shqiptarëve në mbrojtje të lirisë, flamurit dhe identitetit kombëtar nuk do të arrijë kurrë të zbehë këtë trashëgimi të lavdishme. Ndamë sot të njëjtin qëndrim me Presidenten Osmani se Kosova dhe Shqipëria, jo vetëm gëzojnë këtë lidhje të pazgjidhshme vëllazërore e strategjike, por edhe të njëjtin vizion dhe aspirata, të ardhmen në Bashkimin Europian dhe në NATO”, tha Begaj.
Nga ana e saj, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se është koha që Shqipëria e Kosova të nënshkruajnë një traktat për mbrojtje të ndërsjellë.
“Një traktat për mbrojtje të ndërsjellë që të reagojmë për mbrojtjen e dy shteteve tonë, është në harmoni me praktikat ndërkombëtare, ndaj është koha që të bëjmë hapat e duhur në këtë drejtim”, deklaroi Osmani.
Presidentja e Kosovës kërkoi gjithashtu reagim më të fortë nga BE dhe komuniteti ndërkombëtar ndaj sjelljes nxitëse konfliktesh të Serbisë në rajon.






Pas Presidentes Osmani, Presidenti Begaj do të takohet me kreun e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe Kryeministrin Albin Kurti.
Takime do të ketë edhe me krerët e partive opozitare, si Memli Krasniqi të PDK-së dhe Lumir Abdixhiku të LDK-së dhe kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Të martën, Presidenti Begaj do të takojë në Pejë kontigjentin shqiptar të trupave që vepron në kuadër të KFOR-it në Kosovë, ndërsa do të zhvillojë edhe një vizitë në kompleksin e Lidhjes së Prizrenit.
Kjo është vizita e parë zyrtare e Presidentit Begaj prej kur hyri në Presidencë më 24 korrik. Po nga Kosova e mbylli edhe Presidenti Ilir Meta presidencën e tij 5-vjeçare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje