Nga Gazeta Si – Një zyrtar i qeverisë iraniane mohoi të hënën se Teherani ishte i përfshirë në sulmin ndaj autorit Salman Rushdie, në komentet që ishin të parat publike të këtij vendi për sulmin.
Komentet e Nasser Kanaani, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, vijnë më shumë se dy ditë pas sulmit ndaj Rushdie në Nju Jork.
Megjithatë, Irani ka mohuar kryerjen e operacioneve të tjera jashtë vendit që synojnë disidentët në vitet që nga Revolucioni Islamik i vendit të vitit 1979, pavarësisht se prokurorët dhe qeveritë perëndimore ia atribuojnë sulme të tilla Teheranit.
“Ne, në incidentin e sulmit ndaj Salman Rushdie në SHBA, nuk konsiderojmë se dikush meriton faj dhe akuza përveç tij dhe mbështetësve të tij”, tha Kanaani. “Askush nuk ka të drejtë të akuzojë Iranin në këtë drejtim”.

Rushdie, 75 vjeç, u godit me thikë të premten teksa merrte pjesë në një ngjarje në perëndim të Nju Jorkut. Ai pësoi lëndime në mëlçi dhe pati disa nerva të prera në njërin krah dhe njërin sy, tha agjenti i tij. Ai kishte gjasa të humbiste syrin e lënduar.
Sulmuesi i tij, 24-vjeçari Hadi Matar, është deklaruar i pafajshëm për akuzat nga sulmi përmes avokatit të tij.
Autori fitues i çmimeve për më shumë se 30 vjet është përballur me kërcënime me vdekje për “Vargjet Satanike”. Udhëheqësi suprem i ndjerë i Iranit, Ajatollah Ruhollah Khomeini kishte nxjerrë njw dekret islamik, duke kërkuar vdekjen e tij. Një fondacion gjysmëzyrtar iranian kishte vendosur një shpërblim prej mbi 3 milionë dollarësh për autorin, megjithëse ende nuk ka dhënë ndonjë koment mbi sulmin.
Kanaani shtoi se Irani “nuk kishte asnjë informacion tjetër më shumë se sa kanë raportuar mediat amerikane”.
“Dënimi i veprimeve të sulmuesit dhe në këmbim lavdërimi i veprimeve të fyesit ndaj besimeve islame është një qëndrim kontradiktor”, tha Kanaani.
Khomeini, nxori fetvanë (dekretin islamik) për Rushdie në vitin 1989. Dekreti islamik erdhi mes një zhurme të dhunshme në botën myslimane për shkak të romanit, të cilin disa e konsideruan si blasfemi për jetën e Profetit Muhamed.
Ndërsa fetvat mund të rishikohen ose revokohen, Udhëheqësi Suprem aktual i Iranit Ayatollah Ali Khamenei – i cili mori pushtetin pas Khomeinit – nuk e ka bërë kurrë këtë. Kohët e fundit në shkurt 2017, Khamenei tha: “Dekreti është ashtu siç e ka nxjerrë Imam Khomeini”.

Që nga viti 1979, Irani ka shënjestruar disidentët jashtë vendit në sulme. Tensionet me Perëndimin, – veçanërisht Shtetet e Bashkuara, – janë rritur që kur presidenti i atëhershëm, Donald Trump, e tërhoqi në mënyrë të njëanshme Amerikën nga marrëveshja bërthamore e Iranit me fuqitë botërore në vitin 2018.
Një sulm me dron i urdhëruar nga Trump vrau një gjeneral të lartë të Gardës Revolucionare iraniane në vitin 2020, duke nxitur më tej këto tensione.
Marrë nga New York Post, përshtati në shqip Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje