Politike

Këlliçi: Qytetarët e Durrësit do të paguajnë trefish taksën e pastrimit

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi tha përmes një konference për shtyp se taksa e pastrimit në Durrës do të rritet trefish.

“Në mesin e vitit 2020, qeveria vendosi të mbyllë landfillin e Porto Romanos në Durrës, pa menduar fare një vend tjetër për depozitimin e mbetjeve.

 Menjëherë pas kësaj, qeveria i imponoi Bashkisë Durrës që të lidhte një kontratë më kompaninë fantazmë të Klodian Zotos, kompani pa historik, pa kapital, pa përvojë por me mik të fortë në qeveri. Kryeministri thotë se nuk e njeh Zoton, por në video shfaqet disa metra larg tij.

Në 2020-n kjo bashki u merrte qytetarëve dhe bizneseve 112 milionë lekë të reja prej taksës së pastrimit.

Mirëpo duke filluar nga viti që vjen, Bashkia Durrës, e drejtuar formalisht nga Emirjana Sako dhe faktikisht nga Vangjush Dako, do t’u marrë qytetarëve trefishin!

Rrumbullak 315 milionë lekë të reja! Këshillit Bashkiak të Durrësit iu duk ide e shkëlqyer që qytetarët do të paguajnë 3 herë më shumë, prandaj e miratoi direkt këtë propozim.

Por prapë nuk gjejnë të ngopur. Në 2024-n, në 2025-n parashikohet të shkojë në 320 milionë euro. Kjo dihet ç’pasoja sjell. Këto para do u merren qytetarëve për t’i trefishuar fitimet Klodian Zotos…”, tha Këlliçi.

Më tej, ai drejtoi disa pyetje publike

“-Me ç’mendje trefishoni një taksë bashkiake pa ndërhyrë fillimisht në rroga dhe pensione?

-Përse kryebashkiakja Sako dhe Këshilli Bashkiak i Durrësit e pranuan këtë propozim radikal? Kush ju detyroi? Mbi ç’arsyetim ose studim u kërkua trefishimi i taksës së pastrimit?

 -Ku do të depozitohen tani mbetjet e Durrësit? Në cilin incinerator do të digjen dhe ku ndodhet ky incinerator? Deri tani nuk kemi parë asnjë.

 -Ku janë dokumentet që qartësojnë veçoritë teknike të këtyre inceneratorëve? Ç’teknologji përdorin? Se ju ”incinerator” i thoni edhe kazanit të mbeturinave që digjet në Sharrë. Tregoni ku ndodhet ky incinerator dhe shkojmë e shikojmë bashkë me mediat.                                                               

 -SPAK, sa valium të kanë dhënë që nuk po zgjohesh nga gjumi?”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë