Bota

Medvedev, europianëve: Ndëshkoni me votë marrëzinë e qeverive që ju drejtojnë

Gazeta Si – Dmitri Medvedev sulmon qeveritë evropiane dhe u bën thirrje qytetarëve që së shpejti do të shkojnë në kutitë e votimit t’i ndëshkojnë ato.

“Ne do të donim të shihnim evropianët jo vetëm të shprehin pakënaqësi me veprimet e qeverive të tyre, por gjithashtu të thonë diçka më koherente. Për shembull, që t’i kërkojnë llogari, duke i ndëshkuar për marrëzinë e tyre të dukshme”, shkruan nënkryetari i Këshillit të Sigurisë rus në Telegram, duke nënvizuar se “votat e votuesve janë një levë e fuqishme ndikimi”.

“Sigurisht që duam bashkëpunim paqësor, tregti, shkëmbime e të tjera që janë normale. Ne nuk mbyllemi me askënd, mbështesim çdo propozim të arsyeshëm”, shkruan ish-kryeministri dhe ish-presidenti, i cili synon të gjejë një rol udhëheqës për post-Putinin.

“Nëse çmimi i demokracisë europiane është i ftohti në apartamente dhe frigoriferët bosh, kjo demokraci është për të çmendurit”, shton Medvedev, duke iu referuar pasojave të sanksioneve kundër Rusisë për luftën në Ukrainë.

“Kjo është arsyeja pse katër qeveri evropiane kanë dhënë tashmë dorëheqjen brenda një kohe të shkurtër. Por ky nuk është qartë fundi. Votat e votuesve janë një levë e fuqishme ndikimi edhe për politikanët më të ngrirë”, thotë ai.

Medvedev nuk përdor diplomacinë në deklaratat e tij, siç ka bërë muajt e fundit, duke lëshuar kërcënime serioze.

“Pra, veproni, fqinj evropianë! Mos heshtni. Kërkojini llogari idiotëve tuaj. Dhe ne do t’ju dëgjojmë. Avantazhi është i dukshëm: dimri është shumë më i ngrohtë dhe më komod në shoqëri të Rusisë, se sa një izolim i fortë me sobën e gazit të fikur”, përfundon ai, duke përdorur kërcënimin e ndërprerjes së furnizimit me gaz rus në Evropë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë