Kryetari i PD-së, Sali Berisha paralajmëroi koalicion me partinë e Ilir Metës në zgjedhjet e ardhshme lokale.
“Diskutim që koalicion besoj se do ketë. Koalicioni do përcaktojë rregullat e tij. Çfarë do jetë në këtë koalicion për PD-në, aksionet e PD-së, ato të gjitha do zgjidhen me primare.
Ne nuk heqim dorë nga primaret. Ne i konsiderojmë primaret si risinë e dytë më të madhe pas vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri. Është fundi i kryetarokracisë.
Forma më e vërtetë e demokracisë brenda një partie. Ne i qëndrojmë plotësisht”, tha Berisha.
Cilido prej deputetëve, sipas tij, që dëshiron të garojë për kryetar bashkie, mund t’i bashkohet garës së primareve brenda partisë.
“Cilido që është deputet i PD-së, dhe dëshiron që të kandidojë, është i mirëpritur t’i nënshtrohet primareve. Kryetari i PD-së dhe Kryesia nuk kanë pushtet mbi kandidaturat që plotësojnë kriteret. Ata që i plotësojnë, ata do jenë të mirëpritur në këtë garë” tha ai.
Berisha kundërshtoi edhe ndryshimet në ligjin për dekriminalizimin propozuar nga PS-ja që në thelb synojnë përjashtimin e Metës dhe Berishës nga politika.
“Në një tekst që kam parë unë nuk ekziston por i ftoj ta bëjnë. Ka standarde evropiane të qarta, ka rezoluta për të gjitha këto, nëse do bëjnë një ligj anti Berishë, të provojnë, i siguroj se vrulli dhe hovi vetëm do të rritet…”
Ndërkohë, Qeveria ka nxjerrë së fundmi një vendim për zbatimin e procedurave me koncension në sektorin e programeve të dhënies së shtetësisë.
Berisha e kundërshtoi këtë proces.
“Jam sot për të deklaruar në emër të PD, se pasaporta e artë e Edi Ramës është thjesht një thirrje: ‘narko-trafikant dhe kriminel të të gjithë rajonit, Evropës dhe botës bashkohuni në Shqipëri’.
PD deklaron se pas nisjes për legalizimin e kanabisit, ligjin për amnistinë fiskale, legalizimin e parave të krimit që hyjnë nga jashtë, pasaporta e artë është mekanizmi i tretë e i fundit i trinomit të shndërrimit të Shqipërisë në parajsën tokësore të drogës trafiqeve dhe krimit rajonal evropian dhe botëror.
Pasaporta e artë, në vendet ku shteti ligjor funksionon është një mundësi e përdorur nga ato qeveri dhe vende për të thithur investime të huaja. Kurse pasaporta e artë në narko-shtetin e parë dhe të vetëm në Evropë, Shqipëri, është kanal i zi për të larë narko-eurot e trafikantëve të pashpirtë të rajonit, Evropës e botës në Shqipëri, një kanal i zi për paranë toksike të bosëve të drogës dhe krimit, para e cila me kullat monumente nacionaliste korruptive si i ka quajtur shtypi ndërkombëtar në Tiranë po shkatërron pamjen, urbanistikën trafikun e mjedisin e saj”, tha Berisha në konferencën e përjavshme për shtyp
“Dënoj me ashpërsinë më të madhe pasaportën e artë të Edi Ramës, si një thirrje për trafikantët, kriminelët, por edhe terroristët nga mbarë bota, paguani që të mblidheni në Shqipëri. Paralajmëroj Edi Ramën se këto praktika me sa duket kanë edhe një qëllim të dytë politik, bllokimin e procesit të negociatave me BE. Është e vërtetë që konferenca e parë është mbajtur, sikundër që negociatat nuk janë hapur në kuptimin që procesi do rifillojë pas disa shqyrtimeve që do të bëhen gjatë këtyre muajve në një konferencë të dytë. Ka një mënyrë për ta shtyrë në kalenda konferencën e dytë, është kjo që bën Edi Rama me pasaportën e artë dhe dhënien me koncesion të shtetësisë. E paralajmëroj në mënyrë serioze se këto praktika do të kundërshtohen me të gjithë potencialin që ka opozita. Sikundër, paralajmëroj çdo person, aplikimi mbi bazën e kësaj praktike nuk do të njihet nga opozita shqiptare. Ndaj të mos bien pre e një skeme të madhe mashtrimi. Ky është qëndrimi i PD ndaj këtij procesi në të cilën Edi Rama kërkon të forcojë pushtetin e tij nëpërmjet krimit, drogës dhe mafies”, vijoi Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje