Bota

Abazoviç 3 vota larg shkarkimit, Kryeministri akuzon: Duan të më largojnë se po luftoj krimin

Seanca maratonë për votëbesimin e qeverisë së Dritan Abazoviç vijon ende në parlamentin e Malit të Zi. Kryeministri Abazoviç akuzoi partinë e presidentit Milo Gjukanoviç se po synon të destabilizojë vendin.

Abazoviç tha se arsyeja e vërtetë e mocionit të mosbesimit të ngritur prej partisë Gjukanoviç nuk është marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe, por lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, kontrabandës dhe trafikut të lëndëve narkotike që ka ndërmarrë qeveria e tij.

Ai tha se pas mocionit qëndrojnë biznesmenë të fuqishëm e ndërtues të lidhur me kontrabandën e cigareve e trafikun e lëndëve narkotike.

“Pse e gjithë kjo nisi pas aksioneve që kanë goditur kontrabandën e cigareve në Portin e Tivarit?”, tha Abazoviç, duke iu referuar faktit që në javët e fundit sasi me vlerë miliona euro cigaresh kontrabandë janë sekuestruar nga autoritetet malazeze.

Abazoviç akuzoi se të përfshirë në këtë kontrabandë ishin edhe ministra aktualë të kabinetit të tij qeveritarë, ish-ministra e deri te ish-drejtues të lartë të policisë malazeze.

Më pas, Abazoviç propozoi riformatimin e Qeverisë duke ftuar të gjitha partitë që të jenë pjesë e kabinetit, me përjashtim të partisë së Gjukanoviç dhe firmëtarëve të tjerë të mocionit të votëbesimit.

Përveç Partisë Demokratike të Socialistëve të Presidentit Milo Gjukanoviç, nismëtare e mocionit të votëbesimit, votën pro rrëzimit të qeverisë së Abazoviç e kanë shprehur hapur tre deputetët boshnjakë, si dhe dy deputetë të Partisë Socialdemokrate.

Në total, votat publike kundër Abazoviç, sipas mediave malazeze, deri më tani janë 38 në parlamentin malazez. Për ta rrëzuar duhen 41 nga 81 vota gjithsej.

Partitë e tjera nuk kanë dalë me një qëndrim, por presin thanë se presin një propozim nga Dritan Abazoviç për përfshirje në qeveri dhe në varësi të plotësimit të kërkesave të tyre për këtë përfshirje do të jetë edhe qëndrimi në parlament.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë