Bota

Kryeministrja finlandeze del negative në testin e drogës

Kryeministrja finlandeze Sanna Marin nuk ka marrë drogë. Ky është rezultati i testit që ajo kreu pas kritikave që iu vërsulën për dy video që rrodhën në media e rrjet ku shfaqej duke kërcyer.

Marin, 36 vjeçe, pranoi të bënte testin të premten si kundërpërgjigje ndaj akuzave e shqetësimeve të ngritura për ‘sjelljen e saj’.

“Nuk kisha takime në agjendë të shtunën e të dielën dhe vendosa të festoj me miq. Nuk kam konsumuar drogë, alkool po”, tha Marin.

Në videot e publikuara Kryeministrja shfaqet teksa po feston me miqtë, duke përfshirë një yll finlandez të muzikës.

Një deklaratë e qeverisë finlandeze tha se “asnjë drogë nuk u gjet” në test. Deklarata shtoi se Kryeministrja i kishte paguar vetë shpenzimet e testit.

Këshilltarja e Kryeministres, Iida Vallin, e cituar nga agjencia e lajmeve AFP, tha se mostra e urinës së zonjës Marin ishte testuar për kokainë, amfetamina, kanabis dhe opioidë.

Pas publikimit të videove, Sanna Marin u përball me kritika nga disa politikanë, me një lider të partisë opozitare që i kërkoi asaj të bënte një test droge.

Në një konferencë shtypi të mbajtur të premten e javës së kaluar, gazetarët e pyetën nëse kryeministrja, e cila është në pushtet që nga dhjetori 2019 mund të merrte vendime urgjente qeveritare në gjendjen që ishte në festë.

Marin u përgjigj se ishte në gjendje të kthjellët, pavarësisht se kishte konsumuar pak alkool. Ajo u përgjigj duke thënë se nuk kishte marrë drogë as atë natë dhe as ndonjëherë tjetër në jetën e saj.

Publikimi i videove të saj duke festuar e kërcyer shkaktuan një kundërefekt, ku mijëra gra finlandeze postuan në llogaritë e tyre në rrjetet sociale video duke kërcyer me të njëjtën muzikë me të cilën është shfaqur kryeministrja Sanna Marin duke kërcyer.

Kryeministrja më e re në botë, Sanna Marin nuk fsheh për publikun jetën e natës dhe shpesh është fotografuar në festivale muzikore. Vitin e kaluar ajo kërkoi falje që shkoi në klub nate dhe në kontakt të ngushtë me një rast Covid-19.

Në fillim të këtij muaji, Marin mori titullin si “kryeministrja më bukur në botë” nga gazeta gjermane Bild.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë