Sport

Dopingu/ Federata e gjen fajtorin në Greqi, Veli akuzon Gjozën

Gazeta Si – Peshëngritja shqiptare është trazuar së fundi sërish nga dopingu i Evangjeli Velit, kampione Europe pak muaj më parë në Tiranë. Për të disatën herë shtangistët tanë rezultojnë pozitivë në testet antidoping, duke njollosur medaljet e fituara më parë.

Një skandal i hershëm, që tashmë thellohet edhe nga akuzat mes palëve. Presidenti i FSHP-së, Elze Gjoza, dyshon për një komplot nga Greqia, kurse vetë sportistja e akuzon atë si gënjeshtar dhe racist..

Veli është pezulluar nga aktivitetet ndërkombëtare deri në daljen e përgjigjes së testit B. Edhe Federata Shqiptare e Peshëngritjes e ka pezulluar sportisten, ndërsa fajtorin e gjen sërish në Greqi.

Evangjeli Veli. Gazeta Si, 23 gusht 2022

“I kemi thënë tashmë ‘stop’ dopingut. Evangjeli Veli, deri në përgjigjen e monstrës B, pezullohet nga gjithë aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Kjo gjë do të bëhet me dije nga Federata Botërore e Peshëngritjes, Federata Europiane e Peshëngritjes dhe Federata Greke e Peshëngritjes. Kjo sportiste ka bërë stërvitje dhe ka qenë në kontakt me trajnerë dhe presidentin e Federatës së Peshëngritjes të Greqisë.

Është hera e dytë që na ndodh, në Kazakistan dhe tashmë në Tiranë, që sportistët që stërviten në Greqi na dalin me doping. Nëse përgjigja e mostrës B do të jetë e njëjtë, Evangjeli Veli përjashtohet përgjithmonë nga sporti”, – tha presidenti i FSHP-së, Elez Gjoza, në një intervistë për “Top channel”.

Elez Gjoza, presidenti i FSHP-se. Gazeta Si, 23 gusht 2022

“Sapo erdhëm nga Polonia, ku morëm 6 medalje, 3 të arta dhe 3 bronzi. Jam i sigurt 100% se këta sportistë të stërvitur në Shqipëri do dalin negativë pas 21 ditësh, kur të vijnë përgjigjet.

Jam presidenti i dy aktiviteteve, ku janë kapur pozitivë tre sportistë. Evangjeli Veli ka bërë 9 deri në 11 kontrolle nga VADA në mënyrë të pavarur për vitin 2022 dhe testi i fundit ka qenë 6 ditë para Europianit.

Veli ka përdorur një medikament ose ampulë gjatë zhvillimit të Europianit. Mund t’ju them se një trajner grek, Odise Dhima, ka qenë prezent në hotelin ku ishin të grumbulluar Evangjeli Veli, trajneri i saj dhe një sportist tjetër që kapëm pozitiv po ne. Odise Dhima është dhe vëllai i Pirro Dhimës”, – tha më tej Gjoza, duke hedhur dyshime të forta se substancat e ndaluara vijnë pikërisht nga Greqia.

Edhe disa vite më parë, kur shtangistët tanë dolën pozitivë me doping, nën zë pati akuza të ngjashme për Luan Shabanin, ish-peshëngritësin shqiptar që ka garuar për Greqinë. Edhe në atë kohë u fol për dëmtim të qëllimshëm të sportistëve tanë me substanca të ndaluara, që mund të mos dilnin në teste.

Megjithatë, edhe nëse është realisht kështu, FSHP-ja nuk shpëton nga përgjegjësitë për daljen pozitivë të sportistëve të saj.

Evangjeli Veli, në një intervistë për ‘Panorama Sport’, ka reaguar pas deklaratave të presidentit Elez Gjoza. Ajo e ka akuzuar atë si gënjeshtar dhe racist, ndërkohë që këmbëngul se është e pastër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë