Politike

Kim siguron Arben Krajën edhe përballë pas sulmeve të Metës: Vizita në Uashington forcon bashkëpunimin

Ambasadorja e SHBA në Tiranë i ka shprehur edhe ballë për ballë mbështetjen kreut të SPAK, Arben Kraja një ditë pasi ky i fundit u sulmua nga Ilir Meta, që e akuzoi se është vënë në shërbim të Edi Ramës.

Takimi është zhvilluar në Ambasadën e SHBA dhe në deklaratën e shkurtër të shpërndarë nga Ambasada, Yuri Kim ka rikujtuer vizitën e fundit të Arben Krajës në Uashington, ku ky i fundit pati takime me zyrtarë të lartë të Departamentit të Drejtësisë në SHBA.

LEXO EDHE:
– SPAK heton Metën, i kërkon KQZ-së formularin e dekriminalizimit të ish-Presidentit
– Hetohet nga SPAK, Meta: Spurdhjaku i partisë po i shërben mafies së inceneratorëve
– Kim pas deklaratës së Metës: Kërcënimet s’mund të pranohen si normale. Askush mbi ligjin

“Kënaqësi të mirëprisja Kreun e SPAK Arben Kraja pas vizitës së tij zyrtare në Uashington, e cila forcon akoma më shumë bashkëpunimin midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shtetet e Bashkuara do të vijojnë të mbështesin fuqimisht punën e SPAK dhe institucioneve të tjera të reformës në drejtësi”, citohet Ambasadorja Kim në deklaratën e shpërndarë për mediat.

Të mërkurën, Ilir Meta e cilësoi ‘spurdhjak partie’ kreun e SPAK-ut, pas shkresës së Prokurorisë së Posaçme drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ku kërkonte një kopje të formularit të dekriminalizimit të ish-Presidentit.

Kryetari i Partisë së Lirisë po hetohet për kallëzimin penal të dorëzuar nga ish-deputeti Halit Valteri në lidhje me akuzat për korrupsion, por edhe dyshimet se ka falsifikuar dokumentacionet, nisur nga fakti që në gjendjen civile, Ilir Meta rezulton me emrin Ilir Metaj, ndërsa ka firmosur me emrin Ilir Meta.

Halit Valteri depozitoi kallëzimin penal në fillim të muajit qershor. Ai tha se ishte vënë në dijeni nga një gazetar austriak për provat e faktet në lidhje me paratë e lobimit të shpenzuara nga LSI ndër vite në SHBA.

Ish-deputeti nuk e bëri publik emrin e gazetarit, por gazeta austriake “Kronen Zeitung” publikoi në ato kohë një artikull ku e cilësonte Ilir Metën që në titull si “thellësisht të korruptuar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë