Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Agim Nesho akuzon se drejtësia është vënë në shërbim të Edi Ramës për të ndërmarrë akte të turpshme dhe dëshpëruese kundër Ilir Metës.
“Sulmi i fundit politik ndaj kryetarit të Partisë, zotit Ilir Meta, është një akt i turpshëm, dëshpërues, i orkestruar nga klika në pushtet dhe i zbatuar nga lakejt e tij. Ajo që po shikon sot opinioni publik është një drejtësi e komanduar politikisht, e blerë moralisht, e mbaruar profesionalisht, që ka për qëllim të ruajë vetëm interesat e saj; një drejtësi që i shërben pushtetit autokrat duke goditur opozitën dhe liderët e saj me qëllim manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme dhe mbajtjen në këmbë të regjimit”, deklaroi Nesho.
Nesho thotë se e gjitha është presion për të shkatërruar opozitën dhe vrarë pluralizmin në Shqipëri, ndërsa Metën e cilëson lider me vizion.
“Ai është lider me vizion, këmbëngulës, trim dhe atdhetar. Ai nuk u ble dhe nuk u nënshtrua kur Rilindja e zgjodhi si President të vendit, ai nuk u thye, por luftoi në mbrojtje të Kushtetutës dhe shtetit ligjor, edhe i vetëm në betejë; Ai nuk u tërhoq kur shteti i kapur manipuloi dhe vodhi votat e partisë së tij për ta nxjerrë nga skema politike; Ai nuk u tremb kur falsifikatorët e pushtetit dhe të institucioneve të pavarura kërkuan t’i manipulojnë dosjen e tij”, vijoi Nesho.
Sipas Partisë së Lirisë, Shqipëria është sot në një nga ditët e saj më të errëta të demokracisë që është drejt shkatërrimit.
“Për të gjithë ata që mendojnë se ‘të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe drejtësia po vepron’ po ju themi që të mos bëhen avokatë të një çështje të humbur dhe të diktatorëve të rinj. Shqipëria nuk ka ligj, nuk ka drejtësi. Edhe sikur pas sulmit ndaj Presidentit Meta të arrestohen 2-4 ministra të korruptuar për balancë, kjo nuk është drejtësi përderisa kreu i kupolës mbetet i paprekur. Drejtësia sot drejtohet nga dëshirat dhe interesat e Autokratit Rama”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje