Gazeta Si – Agjencia shtetërore ruse e energjisë atomike, “Rosatom” do të fillojë ndërtimin e dy reaktorëve bërthamorë në Hungari në javët e ardhshme.
Lajmi bëhet i ditur nga BBC, duke cituar ministrin e Jashtëm të Budapestit, Peter Szijjarto.
Marrëveshja mes dy vendeve, e arritur në vitin 2014, synon zgjerimin e termocentralit bërthamor Paks, i cili gjeneron 40% të furnizimit total të Hungarisë me energji elektrike.
Industria bërthamore ruse, kujton media britanike, nuk i nënshtrohet sanksioneve evropiane për pushtimin e Ukrainës.
“Le të fillojë ndërtimi! Ky është një hap i madh, një moment historik”, ka shkruar Szijjarto në Facebook, i cituar nga AFP.






“Duke bërë këtë, ne do të sigurojmë sigurinë afatgjatë të energjisë të Hungarisë dhe do të mbrojmë hungarezët nga luhatjet e egra të çmimeve të energjisë”, shtoi ministri i Jashtëm i Budapestit.
Aktualisht, termocentrali Paks përbëhet nga katër reaktorë të epokës sovjetike. Siç shpjegon BBC, dy reaktorët e rinj do të dyfishojnë kapacitetin e prodhimit. Projekti 12.5 miliardë euro – i financuar kryesisht nga Rusia – pritet të përfundojë deri në vitin 2030, njoftoi Szijjarto.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka mbajtur lidhje të ngushta me Moskën pavarësisht sanksioneve ndëshkuese që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj Moskës pas pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.
Rusia do të financojë pjesën më të madhe të projektit përmes një kredie prej 10 miliardë dollarësh dhe Hungaria do të paguajë 2.5 miliardë dollarët e mbetur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje