Sali Berisha e ka shkarkuar Enkelejd Alibeaj nga posti i kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike që në mbledhjen e fundprillit të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.
Vendimi u mor bazuar në statutin e miratuar në Kuvendin e 11 dhjetorit të vitit të kaluar, i cili ende nuk është përfundimtar, pasi vetë ky statut dhe gjithë vendimet e tjera të atij Kuvendi janë në shqyrtim nga gjykata në Tiranë.
Duke qenë se juridikisht nuk ka asnjë pushtet mbi grupin parlamentar të PD-së, madje vetë është ende jashtë këtij grupi, Sali Berisha po përpiqet që të sigurojë mbështetjen e shumicës së deputetëve të PD që janë pjesë e grupit.
Vendimi i parë që kërkon Berisha është që grupi ta njohë atë si pjesë dhe më pas të zëvendësohet Enkelejd Alibeaj me Luçiano Boçin në krye të këtij grupi. Kjo e dyta i imponohet nga neni 16 i rregullores së Kuvendit, ku përcaktohet se deputetët zgjedhin kryesinë e grupit parlamentar. Pjesë e kryesisë është edhe kryetari.
Zyrtarisht, grupi parlamentar i PD-së ka 44 deputetë në përbërje. Numri i deputetëve që morën pjesë në Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Sali Berisha më 11 dhjetor të vitit të kaluar është 17. Ky numër është fluid, që do të thotë se vota brenda grupit zyrtar të PD-së në Kuvend Berisha mund të ketë më shumë, por edhe më pak.
Shumica e deputetëve kanë qëndruar asnjëanës në përplasjen e brendshme për kontrollin e PD, ku grupi parlamentar i drejtuar nga Alibeaj është kështjella e fundit që Sali Berisha s’e ka marrë ende dhe për këtë ka një arsye.
Alibeaj duket sikur ka pasur mbështetjen e ndërkombëtarëve në këtë qëndresë. Mes presionit të strukturave të partisë, që Berisha i ka vënë nën kontroll thuajse plotësisht dhe ‘presionit’ të ndërkombëtarëve, veçanërisht të Rrugës së Elbasanit, shumë deputetë demokratë kanë zgjedhur të mos bëhen palë për momentin.
Kjo është pengesa që duket e pakapërcyeshme për Berishën, të paktën në këtë moment që të sigurojë shumicën e mbështetjes në grupin parlamentar, ku si hap të parë do të ishte vendimi për t’u bërë vetë zyrtarisht pjesë e këtij grupi dhe vendimi i dytë shkarkimi i Enkelejd Alibeajt dhe emërimi i Luçiano Boçit.
A i ka votat për këtë? Përgjigja që dha Sali Berisha në një nga konferencat e fundit për shtyp, ku tha se ‘ishte në bisedime me deputetët e grupit’, nënkupton që të paktën për momentin ai s’e ka siguruar këtë shumicë.
Për ta siguruar shumicën ka kohë me gjasë deri më 12 shtator, kur Kuvendi nis sesionin e ri. Sipas rregullores, sesioni i ri nis me konfirmimin e kryesisë së grupeve parlamentare, përfshirë këtu kryetarët e grupeve. Kuvendi nis punimet e shtatorit të hënën e parë të muajit. Por, e hëna e 5 shtatorit është pushim zyrtar si Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës dhe për këtë arsye punimet pritet që të nisin më 12 shtator.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje