Bota

Pilotët përleshen në kabinën e avionit ‘Air France’, kompania i pezullon

Gazeta Si – Dy pilotë të kompanisë ajrore “Air France” u pezulluan, pasi u rrahën me njëri-tjetrin qershorin e kaluar në një fluturim të linjës Gjenevë-Paris.

Njëri prej tyre ka refuzuar të “zbatonte urdhrat” dhe menjëherë pas ngritjes, sipas rikonstruksionit të gazetës zvicerane “La Tribune”, piloti dhe bashkë-pilot janë përplasur fizikisht.

Gjatë përleshjes ka pasur edhe shuplaka, ndërsa  e kanë goditur njëri-tjetrin edhe me çanta.

Zhurmat që vinin nga kabina alarmuan stjuardesat që ndërhynë për të shuar mosmarrëveshjen.

Për pjesën tjetër të udhëtimit, një nga anëtarët e ekuipazhit u ul pas pilotëve për të parandaluar që situata të nxehej përsëri.

Edhe pse, siç raporton një zyrtar i kompanisë franceze, fluturimi ka vazhduar dhe u ul i sigurt dhe mosmarrëveshja nuk ndikoi në pjesën tjetër të rrugës, dy pilotët janë “pezulluar dhe janë nën hetim”.

Lajmi u bë i ditur pas publikimit, të mërkurën e kaluar, të një raporti nga BEA, agjencia franceze e hetimeve ajrore, sipas të cilit nuk do të ishte hera e parë që punonjësit e “Air France” nuk respektojnë procedurat e sigurisë.

Dokumenti kap një rast nga viti 2020, kur dy pilotë të linjës ajrore franceze në një fluturim nga Brazzaville (Republika e Kongos) në Paris, me një rrjedhje karburanti e mbajën aeroplanin në ajër pa ndërprerë fuqinë e motorit ose pa u ulur sa më shpejt të ishte e mundur, siç duhej bërë në raste emergjente.

Tre raste të tjera të ngjashme përmenden gjithashtu në dokument midis 2017 dhe 2022 dhe BEA vuri në dukje se disa pilotë shpesh vepronin sipas analizës së tyre të situatës dhe jo sipas protokolleve të sigurisë.

“Air France” ka deklaruar se është duke kryer një auditim për këtë çështje dhe se merr përsipër të ndjekë gjithmonë rekomandimet e BEA-s.

Linja ajrore gjithashtu vuri në dukje se ajo kryen mijëra fluturime në ditë, dhe raporti përmend vetëm katër nga këto incidente të sigurisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë