Ne rrjet

Mynih ’72… 50 vjet pas masakrës së terroristëve të ‘Shtatorit të Zi’, Gjermania kërkon falje

Gazeta Si – Lojërat Olimpike të Mynihut 1972 ishin menduar si “lojërat e gëzimit”. Në qëllimet e Republikës Federale të ngritur nga hiri i nazizmit, duhej të ishte lënia pas krahëve e precedentit të vetëm në tokën gjermane, ajo e kohës së errët dhe luftarake të vitit 1936 në Berlin që kishin festuar lavdinë e regjimit Hitlerian.

Por në vend të saj, eventi hyri në histori si “lojërat e terrorit”.

Mëngjesin e 5 shtatorit, një grup prej tetë terroristësh palestinezë të “Shtatorit të Zi”, duke përfituar nga masat e sigurisë qëllimisht të dobëta për të dhënë një imazh qetësie, hynë në fshatin Olimpik dhe morën peng njëmbëdhjetë sportistë dhe teknikë të delegacionit izraelit.

Policët gjermanë, të veshur si sportistë, i afrohen ndërtesës së ekipit kombëtar izraelit më 5 shtator 1972 në Mynih

Dy prej tyre u vranë pothuajse menjëherë, sepse u përpoqën të bënin rezistencë. Ishte vetëm prologu i masakrës.

Më pak se njëzet e katër orë më vonë, një përpjekje e ngathët lirimi nga policia gjermane, e cila hapi zjarr ndaj terroristëve në pistën e aeroportit “Fürstenfeldbruck”, teksa po përpiqeshin të merrnin pengjet në një avion që supozohej t’i çonte në Kajro, përfundoi në tragjedi, duke shkaktuar vdekjen e të gjithë sportistëve izraelitë, një polic dhe pesë palestinezëve terroristë.

Megjithatë, mes polemikave dhe protestave, Lojërat Olimpike vazhduan. Kanë kaluar saktësisht pesëdhjetë vjet.

Dhe sot në mëngjes, në të njëjtin aeroport bavarez ku u zhvillua drama, Presidenti i Republikës Federale, Frank-Walter Steinmeier, do të kërkojë falje për herë të parë në emër të Gjermanisë për të gjitha gabimet e bëra atëherë dhe mbi të gjitha për shumë kohë për refuzimin e autoriteteve gjermane për të sqaruar faktet dhe për të pranuar përgjegjësitë e tyre, duke kompensuar në mënyrë adekuate të afërmit e viktimave.

Kreu i rrëmbyesve, Issa (Lutif Afif), flet me ndërmjetësit gjermanë

Në dëgjim të tij do të jetë kreu i shtetit të Izraelit, Yitzhak Herzog dhe përfaqësuesit e familjeve, të cilët prej vitesh kanë zhvilluar një betejë të gjatë ligjore kundër Bonit dhe më pas Berlinit, duke u përplasur me një “mur gome”.

Në fakt u arrit një marrëveshje, pasi ata kishin kërcënuar me bojkotimin e ceremonisë, një gjest që nëse do të vihej në praktikë do ta kishte detyruar Herzogun të dezertonte.

Pas negociatave të gjata, shteti gjerman u ofroi të paguante familjarëve dhe trashëgimtarëve të sportistëve të vrarë 28 milionë euro, nga të cilat 22 milionë do të paguhen nga qeveria federale, 5.5 milionë nga Landi i Bavarisë dhe 500 mijë nga qyteti i Mynihut.

Dhoma ku u vra një nga sportistët izraelitë

Por më shumë përtej parave, është një kompensim moral dhe pranimi i sjelljes së pafalshme gjermane përpara, gjatë dhe pas ngjarjeve që vonuan një plagë që ka vazhduar të rrjedh gjak për gjysmë shekulli.

Madje, edhe para fillimit të Lojërave Olimpike, autoritetet gjermane kishin shpërfillur paralajmërimet e shërbimeve izraelite për mundësinë konkrete të një sulmi.

Kur ndodhi sulmi, ata refuzuan çdo ofertë ndihme nga Tel Avivi, i cili kishte dërguar gjithashtu një ekip të specializuar agjentësh në lirimin e pengjeve.

Siç kujton Zvi Zamir, asokohe kreu i Mossad-it, i cili ndoqi personalisht të gjitha fazat e dramës, “çdo propozim i yni u refuzua, nuk pati asnjë përpjekje për të shpëtuar jetë, e vetmja gjë që donin ishte që t’i jepnin fund që të vazhdonin lojërat”.

Helikopterët që transportuan rrëmbyesit dhe pengjet në aeroport

Megjithatë, në pistën e aeroportit ishin njësitë e policisë bavareze, të pajisura keq dhe që nuk ishin përballur kurrë me një sulm terrorist.

Më pak se tre muaj më vonë, dëmit iu shtua edhe fyerja: në negociatat që pasuan rrëmbimin e një avioni të “Lufthansas” nga një grup tjetër palestinez, qeveria gjermane liroi tre terroristët e mbijetuar, të cilët fluturuan në Tripoli, ku u pritën si heronj nga Gadafi dhe mijëra njerëz në delir.

Më e keqja erdhi më vonë, kur për vite me radhë ministrat dhe burokratët gjermanë reaguan me arrogancë dhe bezdi ndaj kërkesave të familjarëve, duke ofruar vetëm në vitin 2002 një dëmshpërblim prej 5 milionësh, si gjest humanitar dhe duke refuzuar të pranojnë gabimet, duke mohuar aksesin në dokumente dhe të dhëna mjekësore, në përpjekje për të fshehur gjithçka.

Siç shkruan Klaus Hillenbrand në “Taz”, “askush nuk dha dorëheqjen, nuk kishte asnjë komision hetimor, asnjë autokritikë dhe mbi të gjitha askush nuk kërkoi kurrë falje. Ne krijuam përshtypjen se jeta e këtyre njerëzve nuk kishte shumë vlerë. Ishte koha për ta korrigjuar atë”.

Të mbijetuarit e ekipit olimpik izraelit në Mynih ecin nga autobusi në aeroportin ndërkombëtar Lod

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë